Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka reaguar pas ndalimit të flamurit të Kosovës në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, duke e cilësuar si veprim politik.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka dënuar fuqishëm ndërhyrjen e politikës në sport.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Hotit:
Me keqardhje mora lajmin për ndalimin e valëvitjes së flamurit të Republikës së Kosovës në Kampionatin Botëror të Futbollit Rusia 2018, ani pse FIFA u lejon 211 anëtarëve të saj përdorimin e flamujve, pjesë zyrtare e së cilës është edhe vendi ynë.
Edhe më shqetësuese është e dhëna se flamuri i Republikës sonë është renditur në të njëjtën listë me flamujt e organizatave terroriste.
Nuk dua t’i kujtoj Këshillit Organizativ të Botërorit në Rusi, se jo shumë kohë më parë, aty u valëvit flamuri i shtetit tonë kur fituesja e medaljes së Artë e Kampionatit Botëror dhe Olimpiadës, Majlinda Kelmendi, u shpall Kampione Evropiane e Xhudos, pikërisht në Rusi.
Kjo ndalesë është kryekëput politike dhe e papranueshme për botën e sportit kudo në botë.
E dënoj fuqishëm aktin e ndërhyrjes së politikës në sport.
Sportistët e Republikës së Kosovës vetëm për një dekadë të ekzistencës së shtetit të pavarur e sovran, i dhuruan spektakël të jashtëzakonshëm mbarë botës.
Ata nuk e meritojnë që identiteti i tyre i ligjshëm dhe legjitim të dhunohet në forma të papranueshme politike.