Me 1 gusht është rihapur ambulanta në “Lagjën e Dëshmorëve” në Podujevë. Lajmin për portalin llapi.info e ka konfirmuar Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, Afrim Shabani.

“Ambulanta është hapur me 1 gusht. Doktorresha punon dy herë në javë, të hënën dhe të enjtën nga ora 08:00 deri në ora 14:30, ndërsa motra është çdo ditë. Qytetarët janë të kënaqur me rihapjen e kësaj ambulante”, ka thënë Shabani për llapi.info.

Ai ka treguar se jo të gjitha shërbimet që janë kryer më herët kryhen tani për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Alma Sekiraqa, infermiere në këtë ambulantë, ka treguar për llapi.info numrin e pacientëve që marrin kujdesin shëndetësor brenda ditës.

“15-20 pacientë është numri i të cilëve vinë për kontrolla brenda ditës kur është doktorresha, ndërsa ditëve kur nuk është ajo, numri është më i vogël. Zakonisht vinë për me mat tensionin, me marr ndonjë ineksion”, ka thënë Sekiraqa.

Ajo ka treguar se janë të kënaqur me qytetarë dhe se nuk kanë pasur ndonjë problem me ta.

Me rihapjen e kësaj ambulante janë ndarë të kënaqur edhe banorët e kësaj lagjeje.

Naile Kodraliu, banore e kësaj lagjeje, ka thënë se rihapja e kësaj ambulante ka qenë e nevojshme dhe është bërë shumë mirë që është rihapur.

I kënaqur me rihapjen e kësaj ambulante është ndarë edhe banori tjetër i kësaj lagjeje Behram Gashi.

“Jemi shumë të kënaqur që është rihap. Kemi pasur shumë nevoj për të. Tani shërbimet mjekësore i kemi më afër. Për gjithçka është më mirë”, ka thënë Gashi.

Ambulanta e “Lagjës së Dëshmorëve” ishte mbyllur për më shumë se një vit.

Llapi.info kishte raportuar se kjo ambulantë kishte qenë në menaxhimin e organizatës “KAD”, ndërsa kur kjo organizatë kishte kaluar menaxhmin e kësaj ambulante në duart e Komunës së Podujevës, ajo ishte mbyllur. Mbyllja e kësaj ambulante sipas Agron Hysenit, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Podujevë kishte ndodhur për shkak të mungesës së mjetëve financiare për ta menaxhuar./Llapi.info