Foto: Llapi.info

 Sqarimi i një CD-je, të cilën prokuroria e ka dërguar në gjykatë si njërën nga provat me të cilat pretendohet se pylltari Xhavit Avdiu, ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ka bërë që të rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj tij.

Pas fjalës përfundimtare të palëve që ishte dhënë më 25 mars 2019, kishte përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Avdiut dhe ishte vendosur që të mërkurën të shpallej aktgjykimi ndaj tij, por kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, deklaroi se ky proces gjyqësor duhet të rihapet edhe njëherë për të sqaruar edhe një rrethanë të këtij rasti.

Ajo njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Naim Rudari, se gjykata ka vlerësuar se sipas raportit të ekspertizës nga Drejtoria Teknike Kriminalistike, e datës 6 korrik 2018, së bashku me të dhënat në CD, duke obliguar prokurorinë që bazuar në këtë raport të kërkojë të gjeturat që janë ofruar në mënyrë elektronike lidhur me komunikimet telefonike të të akuzuarit për datën 10 maj 2018.

Lidhur me këtë rrethanë, sipas Kuka-Mekaj, nëse është e nevojshme do të nxirren edhe prova të reja, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 2 maj 2018, në ora 13:30.

Ndryshe, Avdiu pretendohet se më 10 maj 2018, ka qenë nën shoqërimin e dy kamionëve që transportonin dru, në mënyrë ilegale, të cilët ishin ndalur nga policia dhe se i njëjti ka kërkuar nga ata policë që kamionët të lirohen.

Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja Merrshe Llugiqi, kishte deklaruar se nga të gjitha provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, është vërtetuar se Avdiu kak kryer veprën penale për të cilën është akuzuar, ndërsa mbrojtjen e dhënë nga i akuzuari e cilësoi si shmangie nga përgjegjësia penale.

Pretendim tjetër nga ai i prokurorisë, kishte mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Rudari. Sipas tij, me asnjë provë të prokurorisë nuk është vërtetuar se Avdiu, ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar ndërsa nuk i konsideroi të besueshme dëshmitë e tre zyrtarëve policor.

Sipas tij, edhe personat Ramadan dhe Nebih Bislimi, që pretendohet se i ka ndihmuar Avdiu, kanë deklaruar se nuk kanë pasur kontakte me tani të akuzuarin.

Ndryshe, sipas aktit akuzues të 31 korrikut 2018, pretendohet se më 10 maj 2018, rreth orës 19:30, pjesëtarët e policisë kufitare në fshatin Orllan, kishin hasur dy kamionë me vozitësit Ramadan Bislimi dhe Nebih Bislimi, duke transportuar dru në mënyrë ilegale drejt Prishtinës, kurse i pandehuri Avdiu ishte duke i përcjellë me veturën e tij.

Pasi policia i kishte ndaluar kamionët te vendi i quajtur “Pishat” i akuzuari Avdiu me veturën e tij ishte ndalur dhe iu ishte ofruar zyrtarëve policorë, duke ju thënë t’i lirojnë vozitësit e kamionëve pavarësisht se nuk posedonin dokumente për transportimin e druve, e duke i njoftuar se ata ishin me të akuzuarin Avdiu.

Me këtë rast, Avdiu sipas aktakuzës, se i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm Agjencisë Pyjore të Kosovës. /Betimipërdrejtësi