Sot edhe zyrtarisht fillon edicioni i 27-të i Supërligës së Kosovës në futboll 2019/20, njofton Llapi.info.
Duke parë ndryshimet nga FFK-ja si dhe përforcimet e skuadrave, sivjet elita e futbollit kosovar pritet të jetë ndër më interesantët në kohën e pasluftës.
Për herë të parë, tri ekipe nga Kosova do të marrin pjesë në garat evropiane, gjë që e bënë akoma më të zjarrtë futbollin kosovar.
Kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, do ta përfaqësojnë futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare në verën e vitit 2020.
Edicioni nis sot me tri përballje në program, kurse të dielën luhen edhe tri të tjera. Llapi do të jetë nikoqir i Vushtrrisë.
Llapi i Tahir Batatinës pret Vushtrrinë e rikthyer në Supërligë. Ndeshja nis në ora 17:00. “Zahir Pajaziti” do të jetë arena e përballjes së dy tifozërive “Legjenda” dhe “Forca”.
Llapjanët kanë qenë skuadra më aktive në afatin kalimtar me 15 lojtarë të rinj, teksa edhe kanë larguar një numër të madh të lojtarëve pak para fundit të afatit kalimtar.
Në anën tjetër, Vushtrria që është rikthyer në Superligë, ka bërë disa blerje në ditët e fundit dhe do të kërkojë të jetë befasia e edicionit të ri me trajnerin, Bekim Shotani./Llapi.info