Në vazhdën e angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e të shtënave në ahengje Policia në Mitrovicë, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Mitrovicës.
Gjatë natës fundit, njësitet policore të stacionit ’Jugu’ në Mitrovicë, i janë përgjigjur një informacioni për të shtëna me armë. Veprimet policore ishin orientuar drejt identifikimit të lokacionit ku ishin dëgjuar të shtënat, ku si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në rrugën “Beteja e Koshares” të identifikohet lokacioni ku ishin dëgjuar të shtëna gjatë një ahengu familjar.
Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari H. M., 57 vjeçar, është konfiskuar një armë e llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se i dyshuari e ka shkrepur në aheng familjar.
Pas procedurave intervistuese i dyshuari me urdhër të prokurorit të rastit, është liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast për vepër penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës’.
Policia apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje dhe dasma është i sanksionuar me ligj. Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë ndalimin e personave të dyshuar, ndaljen e kolonave me dasmorë, si dhe bastisje të lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët.