Rritja e numrit të të infektuarve ka bërë që nga sonte të ndalohet qarkullimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në Podujevë, pas vendimit të Qeverisë, raporton Llapi.info.

Pas këtij vendimi, nga kjo orë ka nisur të “boshatiset” qyteti, teksa në pamjet e siguruara nga Llapi.info, shihen edhe ekipet policore që kanë dalë rrugëve të qytetit.

“Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë”, thuhet në vendim.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur sot edhe për 14 raste të reja me virusin korona në Podujevë. Siç thuhet në njoftimin e IKSHPK-së, rastet e reja janë nga qyteti 5, Gllamnik 2 dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Bradash, Dumnicë e Poshtme, Llugë, Obrançë, Pakashticë e Epërme dhe Zakut.

Numri i rasteve aktive tani në këtë komunë ka arritur në 105 – njëherësh shifra më e lartë e personave aktivë deri më tani në Llap. Shumica prej rasteve të reja, të cilat janë regjistruar sot, janë me burim të ri të infeksionit. Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë më 13 mars, në Podujevë pozitivë për koronavirus kanë rezultuar mbi 200 persona. Rasti i parë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë.

Edhe 239 raste me koronavirus dhe shtatë viktima u konfirmuan të martën në Kosovë, ka bërë ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Deri më tani në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 7,652. Prej tyre, 192 pacientë kanë ndërruar jetë, ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së mbesin 3.331./Llapi.info