Edhe rinia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Podujevë, kanë ndezur qirinj në qendër të qytetit në nderim të 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, shkruan Llapi.info.

Në aktivitet mori pjesë edhe kryetari i forumit rinor të LDK-së, Paris Guri dhe aktivistë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie.

Njoftimi i plotë nga LDK:

Në nderim të jetës së të riut llapjan, Lulzim Fejzullahu, i vrarë mizorisht ditë më parë, sonte, organizuar nga Forumi i Rinisë së LDK-së në Podujevë, është mbajtur aktivitet, ku janë ndezur qirinj në shenjë kujtimi dhe nderimi për Lulzimin.

Në këtë aktivitet morën pjesë, kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së Paris Guri, strukturat udhëheqëse të degës, përfshi nënkryetari, Fehmi Zeqiri, sekretari, Besim Latifi, kryetari i FRLDK-Podujevë, Plator Ejupi, anëtarë të kryesisë, anëtarë të strukturave të degës dhe qytetarë.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet, shprehën dhimbjen për Lulzimin dhe ndjenjën e solidaritetit për Familjen Fejzullahu për këtë humbje kaq të madhe. Njëherit të gjithë kërkuan nga organet e drejtësisë që ky rast të trajtohet me seriozitetin më të lartë dhe akterët ta marrin dënimin e merituar.