Poeti i mirënjohur Lulëzim Haziri, i konsideruar nga kritika letrare si një nga zërat më unikë të poezisë bashkëkohore në Ballkan, sot në Gostivar e ka promovuar përmbledhjen e re: “Testament prej mëndafshi”.

Në një prononcim për Klan Kosovën, Haziri tha se kjo është vepra të cilës ia ka kushtuar kohën më të gjatë të realizimit.

“Janë poezi që i kam shkruar dhe përzgjedhur gjatë 15 viteve. E përmbajnë stilin tim autorial, por kanë edhe diçka të re, më të freskët dhe më të urtë”.

“Zakonisht, testamentet i ndërlidhin njerëzit me pasurinë, mirëpo vet titulli ‘Testament prej mëndafshi’ tregon se për një autor pasuria më e madhe është shpirti i tij, të cilin e transmeton përmes vargjeve të mëndafshta”.

“Është libër i cili botohet pas një distance të madhe kohore. Kjo ishte një sfidë për mua, sepse siç ndryshon çdo gjë rreth nesh, ashtu ndryshon edhe autori, ashtu ndryshojnë edhe motivet, ashtu ndryshon edhe stili”.

Lulëzim Haziri

Për veprën e Hazirit folën kritiku Salajdin Salihi dhe poetja Lindita Ahmeti.

Klan Kosova sjell recensionin e Salihit.

Salajdin Salihi

PËR TESTAMENTIN PREJ MËNDAFSHI

Ju mund të prisni që para jush të flasë profesori.

Unë ndër vite kam synuar që profesori mos të shpallte triumfin ndaj poetit brenda meje. Profesorët e letërsisë nuk bëhen dot pa poetët. Poetët nuk duan t’ia dinë për profesorët ose për kritikët letrarë. Le ta lëmë të qetë profesorin në botën e teorive, metodave, me të cilat nuk bëhet art. Ato të mundësojnë që të ndërtosh karrierë akademike.

Le të flasë poeti për poetin. Pa asnjë metodë. Pa asnjë teori. Përveç nëse të mallkuarat përvidhen padiktueshëm.

La ta fillojmë me drojën, që e shoqëron një krijues, përfshirë edhe Lulëzim Hazirin, si dhe çdo poet që poezinë e konsideron siç thoshte Lasgushi, thelbin e intelektit njerëzor. Poetit mund t’i ndodh që, me kalimin e viteve, të bëhet më i përgjegjshëm se sa duhet për shkak të drojës, që nuk është tjetër veçse një pjekuri edhe më e madhe artistike. Kjo nuk është droja që e ka shoqëruar poetin në kohën kur ka filluar të botojë. Mund të duket si drojë për shkak të përgjegjësisë mizore ndaj gjuhës apo nga më e pamëshirja erë e shkrimit, siç thotë poeti. Kjo është droja e poetit se mos ka ndryshuar më shumë se sa duhet. Kjo drojë i bën mirë letërsisë, ndonëse mund të bëhet edhe e dëmshme.

Poeti nuk guxon ta humb dalldinë. Ai duhet të këndojë atëherë kur muza i këndon te veshi. Lulëzim Haziri e ndjente frikën nga ndryshimi para se ta botonte librin “Testamenti prej mëndafshi”. Si duket e kishte ndjesinë se kishte ndryshuar më shumë se sa duhet, se e kishte ndryshuar stilin e shprehjes artistike. Ndryshimi i stilit të të shkruarit te një poet është i pranuar dhe i sqaruar nga teoria, madje konsiderohet si pasuri dhe jo si hendikep.

Le ta marrim shembull krijimtarinë e Shekspirit. Ajo kaloi nëpër disa faza. Shohim ndryshime në planin tematik, kemi ndjeshmëri të ndryshme, por thelbi mbetet i njëjti. Kemi të njëjtin Shekspir te sonetet, komeditë dhe tragjeditë.

Mopasani, gjatë jetës artistike, disa herë e ndryshoi stilin e shprehjes, por estetët e vlerësojnë këtë transformim. Ai sërish ishte Mopasani.

Fernando Pesoa theu të gjitha klishetë e mundshme. Ai i krijoi disa personalitete dhe shkroi përmbledhje poetike me emra të ndryshëm. Pseudonimet e tij quhen heteronime. Heteronimet ishin karaktere imagjinare, që kishin stile të ndryshme shkrimi. Fernando Pesoa, pra, shpiku disa vetvete. Disa vetvete të ndryshëm prej njëri tjetrit. Ai shpiku vetvete, ashtu siç një romansier shpik personazhe. Njëri ishte Alberto Caeiro, tjetri Alvaro de Campus, një tjetër ishte Ricardo Reis. Pesoa, madje, për secilin krijoi të dhëna të ndryshme biografike. Secili prej tyre ishte i pavarur prej tjetrit.

Kritiku më kreativ i shekullit tonë, Harold Bloom, në librin “Kanoni Perëndimor”, i referohet Oktavio Pazit kur flet për heteronimet e Pesoas.

Sipas Pazit, Kaejro ishte dielli rreth të cilit sillej Reishi. Në secilin prej tyre kishte diçka të kundërt dhe ireale. Reishi beson te forma, Kampushi te shpirti, Pesoa te simbolet, kurse Kaejro nuk beson në asgjë. Ai vetëm ekziston.

Kjo nuk ka ndodhur me Lulëzim Hazirin, përkundër drojës që kishte. Ai është i njëjti edhe me librin e ri. Aty është e njëjta frymë. E njëjta ndjeshmëri. Ka pësuar vetëm pak ndryshim stili i ligjërimit poetik. Poezia e tij është tanimë filigraneske, por edhe ajo që është krijuar paraprakisht është po aq e bukur. Ne kemi mundësinë ta shijojmë atë që ai ka krijuar në rini, sepse në këtë libër të ri e kemi edhe librin e moçëm. Portreti i artistit në rini është i njëjtë me portretin e artistit të tanishëm. Disa motive i sjell mosha. Ajo e ushqen poezinë.

Çdo motiv kërkon edhe një diskurs të ri, çdo ndjenjë e ka diskursin e vet.

Në poezitë e reja Lulëzim Haziri më shumë se sa mendim, që pritet të ndodh me kalimin e moshës, ka futur më shumë muzikë. Këtë mbase Haziri nuk e ka vërejtur. Pse duhet ta vërejë? Mjafton që ne lexuesit ta dëgjojmë muzikën e sajuar prej fjalëve.

Në poezitë e reja të Lulëzim Hazirit ka më shumë trishtim, më shumë vjeshtë, më shumë gjethe manjole, “që bien si engjëjt e plakur”, ka vetmi “me zhurmë gjethesh”, ka më tepër muzg e më tepër terr, por ka edhe më shumë hënë, që ishte e përjashtuar në përmbledhjet e mëparshme.

Ka më shumë këngë nate për dashurinë. Ka edhe më shumë lutje. Sa e afërt është lutja me poezinë. Aty sërish janë dedikimet për njerëzit e dashur. Janë dedikimet antologjike, siç është poezia “Vetmi nëne”: “I zgjuar a në gjumë Ende e dëgjoj rënkimin tënd Që e lëshoje nëpër shtëpi Jo kur ishe e sëmurë Po kur e ndjeje vetminë…“. Ka edhe poezi në prozë dhe poezi që me pak fjalë thonë shumë. “Poezia Është nxitja dhe vrapi Për të mbledhur Hije zogjsh Në fluturim“. Dashuria është aty. Përherë.

Ajo vetëm pret të zgjohet. Dhe poeti e zgjon.

Në librin e ri është edhe Lulëzim Haziri ashtu si në vitin e largët 1989.

Dashuron dhe këndon si atëherë. Reagon estetikisht si atëherë.

Kjo hetohet më mirë nëse rilexohet libri tjetër brenda këtij libri: “Kënga lind në vetmi”.

= = = = = = = = = = = = =

Kush është Lulëzim Haziri?

I lindur në vitin 1962 në fshatin Reçan të Gostivarit, Lulëzim Haziri shkollën fillore dhe të mesme e mbaron në Gostivar, derisa në Prishtinë vazhdoi studimet në fakultetin e makinerisë.

Poezitë e para i botoi në revistat “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, “Fjala”, “Rilindja” etj. , ndërsa në vitin 1989 Shtëpia Botuese Rilindja ia botoi përmbledhjen e parë poetike “Kënga lind në vetmi”. Me këtë vepër poeti i solli letërsisë shqipe një poezi të ndjeshmërisë urbane, trajtoi motive që hasen në vepra të letërsisë botërore, por nuk ishin të pranishme në letërsinë shqipe.

Me përmbledhjen e dytë poetike “Kur dyert hapen me zile” (1995) dhe me përmbledhjen “Dalja nga safari” (2005) vazhdoi të përforcojë diskursin poetik me poezi që s’e duron trivialitetin, s’e duron mungesën e kreativitetit, s’e duron gjuhën e eksploatuar figurative, s’i duron normat e ngurta.

Letërsia haziriane buron nga përditshmëria e lodhur nga e rëndomta, përditshmëri urbane e mbrujtur me preokupime, dilema dhe shqetësime urbane. Ai profilizon ngulfatjen e njeriut brenda një hapësire jo aq dashamirëse për subjektin lirik që kërkon të përmbys kaosin e paketuar si harmoni.

Haziri për shumë vite është aktiv edhe me tregime, ese dhe shkrimet e tij publicistike, veçanërisht me shkrimet për kulturën e rokut. Disa nga këto shkrime i ka përfshirë në librat publicistikë “Rokenrolli shqiptar!” (2000) dhe “Bardhë e zi” (2010), në të cilat shqyrton sintezat muzikore mes rokenrollit dhe muzikës popullore dhe artit popullor në përgjithësi.

Aktualisht jeton në Gostivar dhe është aktiv në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ka qenë korrespondent në Zërin Ditor, Radio Kosova – Programi i dytë, Rilindja dhe Bujku. Për pesë vite me ka punuar edhe në të përditshmen Bota Sot, më pas në RTV të Maqedonisë – Programi në gjuhën shqipe, si dhe në organizatën joqeveritare ADI.

Veprat

Lulezim Haziri - Kenga lind ne vetmi
Lulezim Haziri - Kur dyert hapen me zile
Lulezim Haziri - Rokenrolli shqiptar
Lulezim Haziri - Dalja nga safari
Lulezim Haziri - Bardh e zi