Diplomati austriak dhe ish-zëvendësemisari i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, është shfaqur edhe njëherë si përkrahës i madh i shqiptarëve.
Në një intervistë për “Autonomija”, Rohan ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se Serbia dhe Rusia duhet ta pranojnë këtë realitet të ri, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, Rohan thotë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të vazhdojë sepse sipas tij nuk ka ndonjë alternativë tjetër.
“Për mua, skenari më i mirë është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë: në vitin 2007 diskutohej edhe për një model të tipit të negoaciatave si ai mes dy Gjermanive, por Beogradi e kundërshtoi atë format, por përsëri tani mund të jetë e pranueshme për të dy palët”, u shpreh Rohan.
Rohan foli edhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin tha se edhe pse kjo çështje është duke paraqitur problem për vazhdimësinë e dialogut, sipas tij kjo bashkësi nuk do të ketë asgjë speciale.
E duke folur për planin e Ahtisaarit, si dhe deklaratat kundërshtuese të krerëve shtetëror serb për pavarësinë e Kosovës, Rohan e qartëson një detaj:
“Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, po e harron faktin se Plani i Ahtisaarit ishte i bazuar në kompromis, Kosovës i ishte dhënë pavarësia e ndërkaq Serbisë garantimi se komuniteti serb do të mbijetonte në Kosovë në mënyrën e duhur, dhe nuk është asnjë pakicë tjetër në Kosovë që ka të drejta më shumë se sa serbët”, thotë Rohan.
Rohan po ashtu thotë se nuk është diçka e paimagjinueshme që në një të ardhme të afërt, “Serbia të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, mirëpo Rusia nga ana tjetër ta bllokojë atë”.