Përgjatë një jave që tashmë e lamë pas, në Komunën e Podujevës janë regjistruar incidente të ndryshme. Për shtatë ditë, ndodhën rrahje, grabitje dhe u arrestuan disa persona, raporton Llapi.info.
Kësisoj, të martën rreth orës 08:00 të mëngjesit dy persona janë përleshur mes vete pas një mosmarrëveshje verbale. Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, derisa është bërë e ditur se njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime trupore, i cili më pas ka pranuar dhe tretman mjekësor.
“Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit ndalen në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, tha PK.
Të premten në fshatin Shakovicë të Podujevës një shtëpi e një mërgimtari që jeton në Gjermani është kapluar nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët kanë shuar zjarrin.
“Fsh. Shakovicë, Podujevë 06.09.2019 – 05:45. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se shtëpinë e viktimës mashkull K/Shqiptar i cili jeton në Gjermani e kishte kapluar zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në atë shtëpi janë shkaktuar dëme vlera e të cilave ende nuk dihet. Është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin”, thotë PK. Rastin Policia e ka cilësuar si “zjarrvënie”.
Kurse, rreth orës 16:00 të kësaj dite (premte) një rast dhunë në familje është regjistruar në këtë Komunë. Sipas Policisë së Kosovës, viktima femër ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar”, thotë Policia.
Ndërkaq, të shtunën në Podujevë është raportuar për një grabitje në një market.
Viktima ka raportuar se tre persona të maskuar me thika në duar kanë hyrë brenda në një market duke kërcënuar atë.
Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, ku edhe pse i njëjti është cilësuar si “grabitje”, Policia s’ka treguar se çfarë është vjedhur.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet tutje në raportin e PK-së.
Një person është ndaluar e më pas është liruar nga Policia pasi që i njëjti ka tentuar t’i jap ryshfet një zyrtari policor.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në Merdare, ku një drejtues i autobusit të një agjensioni turistik me targa vendore i kishte ofruar ryshfet zyrtarit policor në vlerë prej 10 euro.
“Me urdhër të prokurorit të hollat janë sekuestruar dhe pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thotë PK.
Pikërisht të shtunën në vendkalimin kufitar në Merdare, është arrestuar një person i cili dyshohet se ka kontrabanduar migrantë.Sipas njoftimit, i njëjtë dyshohet se ka bërë edhe falsifikim të dokumenteve.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili dyshohet se kishte kryer veprat e cekura më lartë dhe i njëjti ka figuruar në listën e personave të kërkuar nga policia. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë./Llapi.info