2 maji i vitit 1999 vëllezërit nga Koliqi Milazim dhe Rifat Ferati i gjeti në fshatin Studime të Epërme.
Këta dy djem kishin shkuar nga ky fshat i Prishtinës tek halla e tyre që ishte e martuar në këtë fshat të Vushtrrisë sepse e ndienin veten më të sigurt se në vendlindje.
Por që të dy e gjetën vdekjen në fshatin që menduan se shpëtuan nga forcat e Policisë dhe paramilitarëve serbë.
Mbrëmjen e dy majit Milazimi dhe Ferati u vranë bashkë edhe me qindra civilë tjerë.
Cdo vit për të dërguar lule tek varret e tyre shkon nëna e tyre Hatixhe Ferati.
Kjo grua e cila ofshan nga dhimbja që ka për djemtë e vrarë thotë se do të ishte më mirë që të ishte e verbër dhe mos të dëgjojë asgjë se çka çfarë gjëme e ka goditur atë dhe familjen e saj.
“E mbaj mend atë ditë, veç në burg me më mbulu, as mos me dëgju e mos me pa. Qysh na kanë ardhur e qysh na kanë ba. Nuk është kollaj dytë me m’i marrë prej dorës e me shku. Nuk kishe çka bënë… Na morën përpara, nuk dinim as ku shkonim. Këta i morën, i ndanë, i hoqën”, tregon ajo mes lotësh për ditën kobzezë.
Hatixhja thotë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për të rënët në këtë masakër që është njëra ndër më të mëdhatë në Kosovë.
Në këtë masakër ndër më të mëdhatë në Kosovë Fejzullah Krasniqit nga Zhilivoda ia vranë dy vajza, Lumnidjen dhe Nazmijen, njëra 13 dhe tjetra 17 vjeçare.
Fejzullahu e si bijat e veta ishin masakruar tek hambari, me shumë vajza, gra, fëmijë e pleq tjerë.
“Më dy maj, isha refugjatë këtu lart, tek Isa. E kanë marrë e na kanë shpie teposhtë. Kanë vrarë sa kanë mundur. Kanë vrarë. Dy vëllezër të gruas i kanë vrarë. Iu kanë thënë të lypëm për toke e të gjetëm për qiell. Kanë vrarë deri i kanë bërë 116 atë natë, deri në kooperativë. Me 23 maj, janë vrarë të gjitha këto. Këto të dyjat janë të mijat. Ajo ka qenë 13 vjet e kjo 17. Neve na ndanë prej familjes, na çuan në burg”, tregon Krasniqi.
Të njëjtën dhimbje e ka edhe sot si para 19 viteve, Rabë Shala.
Njëri djalë asaj iu masakrua në masakrën e Studimes duke ia lënë të ëmës amanet gruan dhe fëmijët.
Ajo thotë se edhe djali tjetër,Ganiu, kishte qenë në rrezik të madh, por fatmirësisht kishte arritur të shpëtoj pasi që paramilitarit serb që deshi ta vriste iu harxhuan fishekët.
“Tha: unë amanet po t’i la nana jem, rri te këta fëmijë se ndoshta neve po na mbysin. Thash ‘Jo ishalla oj nanë’. Tha: ‘Valla po’. Në ato fjalë, veç kur kanë ardhë e i kanë kap. Siç i kanë qit, ndihmoj i madhi Zot, mas pari djalin e madh, i kanë thënë qit para, ia ka dhënë paratë, tani plumb. Këtij pastaj i kanë thënë kthe shpinën, kthej shpinën, nuk ka fishekë, edhe kthehet e hynë në kallaballëk”, kujton ajo.
Për mbrëmjen e tmerrshme të 2 majit në Studime flet edhe Isa Gërguri, serbët atij ia vranë motrën, axhën dhe dy mbesat 16 dhe 29 vjeçare.
Ai rrëfen se ushtria serbe nuk ndalej, vriste e masakronte shqiptarë të të gjitha moshave. E siç thotë ai, pak kush mund të shpëtonte nëse në xhep kishte para për t’iu dhënë sa herë që këta të fundit kërkonin.
“Tmerr ka qenë ajo ditë, sidomos atë natë më 2 maj. Kanë vrarë, kanë prerë, çdo të zezë. Mua më kanë marrë para, vëllait po ashtu. Tytën e automatit ma ka vënë në fyt, ia kam dhënë 500 marka në atë kohë, por i kam pasur tima se me i pas vetëm një sot nuk isha. Kështu vëllait ia kanë marrë 500 në një vend, i thoshnin ‘qit, qit’”, u shpreh ai.
Gërguri shprehet i zhgënjyer me institucionet vendore për të cilat thotë se nuk kanë bërë asgjë për të lehtësuar dhimbjen dhe për të lehtësuar sadopak jetën e familjarëve të të rënëve si shenjë nderimi dhe respekti për ta.
Për nder të kësaj masakre sot pranë varrezave të të rënëve është mbajtur edhe një akademi përkujtimore, ku u përkujtuan 116 martirët, me ç’rast u kërkua që urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e masakrës së Studimes të vihen para drejtësisë për të vuajtur dënimin e merituar.