Llapjani që ka përjetuar luftën e Bosnjës, Sami Vokrri,në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova ka folur për masakrën e Srebrenicës në 21-vjetorin e saj, ku kanë mbetur të vrarë mbi 8000 veta.
“Kjo është masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore. Për mua është një gjenocid i kryer, i cili nuk duhej të ndodhte në vendet e Evropës. Kjo nuk është dashur kurrë të ndodhë. Në Bosnjë kam parë edhe shumë masakra dhe kam përjetuar luftën atje”, rrëfen Vokrri.
“Kam qenë student që kam ikur nga regjimi i Millosheviqit, ku atje më pas kam luftuar për tre vjet e gjysmë. Kam qenë në luftën frontale dhe i anëtarësuar në Armatën e Bosnjës”, thotë ai.
“Ato janë vitet më të rënda dhe nuk do të ia dëshiroja asnjë njeriu. Ato kanë mbetur në kokën time dhe është vështirë të largohesh nga to, kur ke hjek edhe për kafshatën e gojës”.
“Në luftën e Bosnjës shumë pak flitet, por që aty kanë marrë pjesë shumë shqiptarë”, tregon Vokrri.
“Ka qenë kohë shumë e vështirë. Edhe vëllau im Avniu është dashur të ikë pasi i kishte ardhur koha për të shkuar në akademinë ushtarake të asaj kohe.”
“Mund të them se 90 për qind të kohës atje, për tre vite e gjysmë, kemi ngrënë vetëm oriz”.
Vokrri ka thënë se ngjarja e Srebrenicës ka ndodh për shkak të moskujdesit të shteteve të perëndimit.
“Lufta e Bosnjës nuk mund të krahasohet me atë të Kosovës, sepse ajo ka qenë shumë e ashpër, madje ka qenë luftë e pistë”, tha ai.