«Ishte Ademi në Pozharevc e ne morëm rrugën me tren. Tërë natën qëndruam në koridor. Ishte tollovi e madhe. Disa që na panë se ishim shqiptarë, thoshin: “çile derën, t’i gjuajmë poshtë”.
Nëna, meqë nuk dinte serbisht, nuk i kuptonte, por edhe nuk dëgjonte mirë sepse ishte plakur mjaft. Më pyeti se ç’po thoshin, pasi e pa se flitnin për ne. I thashë se po thonë t’ua Iëshojmë rrugën.
Të molisura arritëm në Pozharevc, por më mirë të mos kishim arritur fare. Aty na vunë kusht: në duam ta shohim Ademin, duhet të flasim serbisht. O zot, po si të flasim serbisht kur kemi gjuhën tonë. Unë dija ndonjë fjalë, po nëna s’dinte asnjë fjalë. Natyrisht, nuk u pajtuam. Bile edhe shumë vizitorë të të burgosurve të tjerë shqiptarë. Dhe u detyruam të ktheheshim në shtëpi pa u parë me të dashurit tanë që po na mbanin të mbyllur. Pak u dukej kjo, po edhe në gjuhë të tyre donin t’u flisnim.
U kthyem me zemra të thyera. Nëna, si nënë më, u pikëllua thellë. Tërë rrugën kishte parafytyruar si do ta përqafonte të birin, si do ta puthte në dy faqet e në ballë. E, në vend të të birit, e pritën rojet e ftohta, të cilët as i merrte vesh se ç’thoshin, pos që na përkthenin të tjerët që dinin pak më shumë. Prej atëherë nëna sikur mori teposhtëzën. Nuk pati më forcë e as dëshirë të jetonte. Çdo ditë e re e shkrinte edhe më shumë.
Mbas shtatë muajsh, në natën e Bajramit, na erdhi një kartolinë. Na njoftonin se mund të shkonim ta vizitonim Ademin dhe të flisnim shqip. I thashë nënës se mund të shkonim ta vizitonim. Mirëpo ajo e kishte hetuar se nuk ishte më ajo që kishte qenë dikur.
Më tha: “Unë nuk mundem, vdes në tren e çka bën ti?! Pastaj, vëlla nuk ke, kurrkënd nuk ke, vetëm të bëj telashe”.
Dhe kurrë më nuk mundi ta shihte Ademin. Vdiq me mallin e tij. Zemra e saj e di se sa është përvëluar për të.»
Marrë nga revista “Kosovarja” (1991)
Në foto: Motra Ajshe me Ademin e posaliruar, i cili, në 32 vjetët e fundit, i kishte mbajtur 28 vjet burg.