Dedë Paluca, nga qyteti i Prizrenit ka afro 20 vite që vuan nga problemet me zemër. Ai në trupin e tij bartë dy bay-passa, një stent si dhe një bateri për zemër. Por sfidat për t’u kuruar nga zemra në Kosovë për të kanë qenë të mëdha. I është dashur ndihma e njerëzve vullnet mirë për t’i kryer intervenimet. Terapitë me të cilat ky pacient po furnizohet në Kosovë janë shumë të shtrenjta.
Ka 18 vite që vuan nga problemet me zemër. Dede Paluca, nga Prizreni para disa muajve e ka bërë intervenimin e fundit për zemër duke vendosur një bateri. Por në trupin e tij janë të vendosur dy bay-passa, procedurë kjo që e zëvendëson një arterie të mbyllur të zemrës nëpërmjet një rruge tjetër përçuese. Pos këtyre ai në zemër e ka të vendosur edhe një stendë.
Por për të ardhur deri tek shërimi Dedë Paluca, thotë se ka hasur në shumë vështirësi. Të gjitha shpenzimet për këto probleme ai i kishte paguar vet. Thotë se shteti nuk i ka ndihmuar.
Gjatë tetorit të vitit të kaluar Dedës sërish i ishin shfaqur disa probleme në zemrën e tij. Atë kohë ai thotë se vizitat mjekësore kishte qenë duke i kryer në një spital privat në Kosovë. Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga spitali turk atij i kishin thënë se urgjentisht duhej dërguar për në QKUK dhe se nëse nuk kryhej intervenimi Deda brenda dy javëve mund të vdiste.
Deda, se edhe përkundër faktit se ai kishte qenë rast emergjent mjekët e QKUK’së nuk e kishin marrë parasysh.
“Para një kohe kam pas një sulm. Në bazë të analizave mjekët me kanë rekomanduar që ta bëjë play-smecerin (bateri e zemrës). Kam shku në QKUK, ata më kanë thanë nuk të marrim parasysh, duhet të shkosh në spitalin e Prizrenit, anise në QKUK e kam pas udhëzimin se kam rast emergjent. Mjekët e spitalit turk ku unë kontrollohesha, pas sulmit më thanë se i kam veç dy javë jetë”, thotë ai.
Kjo rutinë e pacientit nga Prizreni kishte vazhduar për dy javë të tëra. Pavarësisht kësaj, ai thotë se ka kërkuar ndihmë financiare edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Shteti mua nuk më ka ndihmuar asgjë. Unë kam kërkuar ndihmë në Ministrinë e Shëndetësisë. Por mjekët e QKUK’së nuk mi kanë dhënë nënshkrimet në letrën e cila thotë se unë kam nevojë për intervenim. Mjekët më thonin se unë jam tu hecë me këmbë të mija andaj nuk jam keq me shëndet. Unë u thosha se dokumenti tregon që unë jam rast emergjent”, shpjegon ai.
Ai thotë se intervenimin të cilin nuk e kreu në QKUK u detyrua që ta bëjë në një spital privat në vend ku shpenzimet kaluan shifrën e më shumë se 10 mijë eurove. Ndërkohë që gjashtë muaj ai thotë se i ka shpenzuar 20 mijë euro.
“Unë pasi që mjekët turk më thanë që i kam dy javë jetë, për ditë kam shku nga Prizreni për në QKUK duke i lutë që të mi japim nënshkrimet. Intervenimin u detyrova me e ba në një spital privat”. Por edhe intervenimet e tjera, ky pacient, kohë më parë i kishte kryer jashtë institucioneve publike shëndetësore në vend.
Terapitë tashmë ai i vazhdon në shtëpi. Shpenzimet për të janë të mëdha. Deri në 200 euro ai i shpenzon për barna. Ndërkohë që jeton me vetëm 75 euro ndihmë sociale që jepet nga shteti.
“Unë tash jam me hapa të vazhdueshëm. Kontrolluat i bëjë rregullisht. Por shpenzimet për këtë punë po janë të mëdha. Unë jetojë me 75 euro që i marr me ndihmë sociale. Deri në 200 euro muaji më kushton për blerjen e këtyre barnave”, ka rrëfyer për Express ky pacient.
“Mjekëve tanë nuk u intereson shëndeti i pacientit. Deri më tani mua më kanë shkuar deri në 20 mijë euro”, përfundon ai