Inspektorati komunal i Podujevës sot ka nisur aksionin për rrënimin e një objekti në rrugën “Zahir Pajaziti”, raporton Llapi.info.

Përkundër insistimit të pronarëve, ekskavatorët kanë filluar me rrënimin e atij objekti në qendër të Podujevës. Por, ky aksion s’ka kaluar pa incidente, pasi që pronarët fillimisht e kanë kundërshtuar këtë veprim, duke mos u larguar nga i njëjti objekt.

Me këtë rast, një femër është shoqëruar në Polici. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Policia sot ka asistuar inspektorët komunalë, derisa kanë qenë duke e kryer punën e tyre inspektorët janë penguar nga dy persona (femra), njëra prej të cilave është shoqëruar në stacionin policor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Mësohet se arsyeja e rrënimit të këtij objekti është bërë për t’u mundësuar hyrja tjetër në stadiumin e qytetit.

Në lidhje me këtë çështje, Llapi.info ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarë për informim nga Komuna e Podujevës, por deri në momentin e publikimit të lajmit s’janë dhënë detaje tjera.

Ndërkaq, përderisa është rrënuar objekti forca të shumta të Policisë kanë qëndruar në vend-ngjarje./Llapi.info