Policia në Podujevë, përgjatë dy javëve ka ndërmarrë një sërë aksionesh për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike në Podujevë, raporton Llapi.info

Aksionet e policisë kanë qenë të përqendruara nëpër rrugët kryesore të qytetit e që edhe janë më të frekuentuara.

Për t’i liruar hapësirat e destinuara për këmbësorë është shtuar patrullimi i policisë rrugore. Kështu ka thënë për Llapi.info Antigona Çitaku – Dibrani, rreshtere në stacionin e Policisë në Podujevë.

“Siç edhe ju kemi njoftuar më parë, Stacioni Policor i Podujevës ka shtuar numrin e zyrtarëve policorë në komunikacion, kjo duke e parë se është në interes të të gjithëve. Neve më herët kemi pasur fushata të ndryshme vetëdijesuese lidhur me vetëdijesimin e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve rreth respektimit të rregullave në komunikacion, por që edhe më pas ka munguar rregulli në komunikacion. Për këtë arsye vazhdon së implementuari Plani Operativ lidhur me sigurinë në komunikacion, respektivisht lirimin e trotuareve në rrugët e qytetit”, ka thënë ajo.

Më tej, Çitaku ka shtuar se që nga 10 shtatori janë konfiskuar përkohësisht 99 vetura.

“Nga data 10.09.2018 deri me datën 23.09.2018 janë tërhequr me kompaninë për tërheqje të veturave sekuestruar përkohësisht 99 vetura për parkingje të parregullta”, ka thënë tutje Çitaku.

Kurse brenda kësaj kohe, në Podujevë sipas Çitakut janë shqiptuar rreth 296 gjoba, kryesisht për parkingje të parregullta /Llapi.info