Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e rregullt, të mbajtur sot, miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), 2020/22, raporton Llapi.info
Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori për Buxhet dhe Financa Isuf Latifi, para kuvendarëve ka prezantuar Kornizën Afatmesme Buxhetore, për të cilën tha se është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës dhe është ndërtuar në përputhje me procedurat buxhetore 2020/2022 të dhëna nga Ministria e Financave (MF) përmes Qarkores Buxhetore 2020/01.
“Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) 2020-2022, në përputhje me Qarkoren Buxhetore për komuna 2020/01 dhe ligjin mbi Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësive Financiare përmban strategjinë fiskale të Komunës për periudhën e ardhshme tre vjeçare. Korniza Afatmesme Buxhetore shërben si dokument kryesor i planifikimit të politikave të komunës dhe si e tillë paraqet komponentë të rëndësishme të procesit të përgjithshëm buxhetor”, ka deklaruar Latifi.
Në bazë të kornizës buxhetore komunale, buxheti i përgjithshëm i Komunës së Podujevës për vitin 2020 është planifikuar të jetë 23,957, 419 euro, prej të cilave 22,539,858 nga granti qeveritar, kurse 1,416,561 është planifikuar të realizohen nga të hyrat vetanake. Në planifikimet buxhetore për vitin 2020, për pagat dhe mëditje janë planifikuar 14,013,981 euro, mallrat dhe shërbime 2,219,352 euro, për subvencione 660,050 dhe për investime kapitale 7,063,036 euro.
Informatë të njëjtë edhe pse në cilësinë e këshilltarit e ka dhënë edhe Mehmet Gashi në emër të LDK-së, i cili tha se kjo parti e mbështet këtë kornizë buxhetore. Në parim e ka mbështetur edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së.
Mirëpo, kritika dhe sugjerime kanë dhënë për mënyrën se si po shpenzohet buxheti i kësaj komune nga opozitarët e LVV-së.
Adelina Stublla nga kjo parti poltike duke kundërshtuar këtë kornizë, ka thënë se e njëjta, sipas saj, i takon logjikës së vjetër, duke mos u bërë orientimi i buxhetit siç duhet.
“Ne si VV edhe për kornizën paraprake kemi dhënë vërejtjen tona qoftë për nivelin e dobët profesional, apo te prioritet se ka të orientohen mjetet buxhetore. Komuna duhet t’i ketë strategjitë sektoriale si: Strategjinë e zhvillimit të bujqësisë, strategjinë për zhvillimin e arsimit, turizmi, sportit dhe të kulturës. Pra, VV orientimet programore prioritet i japim arsimit, prodhimit vendor, kulturës e sportit. Andaj, ne kundërshtojmë këtë kornizë buxhetore që vazhdon me logjikën e vjetër dhe duke na bartur probleme të vjetra për të krijuar probleme të reja, dhe që nuk ofron prospektivë zhvillimore”, ka thënë Stublla.
Lidhur me këtë dokument diskutuan këshilltarët, Mehmet Gashi (LDK), Adelina Stublla (LVV), Rafet Llapashtica (PDK), Lirika Maliqi (LVV), Bunjamin Hoti (LDK), Adnan Zymeri (LDK).
Ndërkaq, Kuvendi miratoi me shumicë votash këtë kornizë afatmesme buxhetore për vitin 2020-22./Llapi.info