Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu së bashku me Kryetarin e Odës Ekonomike në Berlin, Christian Wiesenhutter si dhe Mustafë Abazi nga kompania “Abazi GMBH” sot kanë mbajtur një konferencë shtypi për mundësinë e investimeve nga jashtë në Komunën e Podujevës.

Në këtë konferencë, Mustafë Abazi nga kompania “Abazi GMBH” tha se ka filluar ndërtimin e projektit të ndërtimit të një Banjoje Termale në fshatin Sallabajë, projekt ky i cili në fazën fillestare do të kushtoj rreth 3 milion euro, shkruan Llapi.info.

“Mesa dini kam një projekt në fshatin Sallabajë një bajë termale që quhet “Velisus pan” këtu kemi edhe drejtorin që është shumë i interesuar për këtë projekt dhe ka ardhur ekstra që ta shikoj vendin dhe terrenin dhe shpresoj që të fillojmë sa ma shpejt me zhvillimin e këtij projekti. Shuma e investimeve është faza e parë afër 3 milion euro” tha Abazi.

Ndërsa për përfundimin e këtij projekti, sipas Abazit do të duhen 2 deri në 3 vjet.

“Ne veç kemi filluar që të punojmë dhe shpresoj që të brenda 2- 3viteve më së shumti do të realizohet”, shtoi Abazi.

Lidhur me këtë investim, Kryetari i Odës Ekonomike në Berlin, Christian Wiesenhutter tha është i impresionuar me mundësitë e realizimit të këtij projekti
“Jemi shumë të impresionuar me mundësitë, Kryetari na tha për mundësinë e investimeve Bujqësi dhe në

Turizëm. Po ashtu ne sot kemi vizituar edhe projektin e zotri Abazi në këtë rajon dhe mundësi të ndryshme që ofrohen jo vetëm për komunitetin që jeton afër atij projekti ku do të mund të realizohet por po ashtu edhe për banorët e tjerë” u shpreh ai.

Ndërsa për kushtet e investimeve në përgjithësi, Wiesenhutter u shpreh se përveç kufijve të gjitha mundësitë janë fantastike.

“Ajo që mund të veçoj është mundësia e hapur e investimeve e të gjithë investitorëve dhe mundësia që të ecet drejt anëtarësimit në BE. Përveç kufijve kushtet janë fantastike” përfundoi ai

Në këtë konferencë foli edhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu. Ai tha se kishte kënaqësinë të priste një delegacion nga Gjermania dhe se pret nga ta që të ofrojnë dhe konkretizojnë investime në këtë Komunë.

“Pata kënaqësinë me prit një delegacion të Gjermanisë, delegacion i bizneseve. I informova për situatën e përgjithshme në Komunë dhe përparësitë që Komuna e Podujevës ofron për investimet e huaja edhe po presim që të konkretizojmë ndonjë interesim të tyre eventual” tha ai.

Veliu shtoi se përveç Bujqësisë dhe Turizmit që janë fokusi kryesorë i yni, interesimi këtyre investitorëve ishte edhe në prodhimin e mjedrës ku Podujeva është lidere në prodhimin e saj./Llapi.info