Numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve që kanë aplikuar për marrjen e bursë komunale në Podujevës është rreth 470 aplikues, njofton Llapi.info. Se sa prej tyre janë nxënës dhe sa studentë nuk dihet ende.
Shefi i Arsimit në Podujevë, Xhevat Llugaliu, ka thënë për Llapi.info se në fund të muajit mund të dihet se sa janë nxënës dhe sa studentë për shkak të disa ndarjeve që duhet të bëhen. Ndërsa, rezultatet e përfituesve të bursës do të publikohen pas shpalljes së rezultateve nga Universiteti i Prishtinës, për shkak se familjarët e atyre që përfitojnë bursë në universitet nuk do të kenë mundësi të marrin bursën komunale.
“Rezultatet pa i shpallur ministria, nuk i shpallum na. Është rregull, i shpall Universiteti i Prishtinës, tani ata qa t’i marrin na i hjekum”, ka thënë Llugaliu për Llapi.info.
Ai nuk ka dhënë një përgjigje definitive për të dhënat që do të përmbajë lista e përfituesve të bursës, sepse për këtë sipas tij vendos komisioni.
“Tash duhet me u ul me mendu me kryesues. Sikur të isha vet unë, isha shku emri, mbiemri, emri i prindit, vendbanimi, nota mesatare. Kjo është më transparentja. E kisha hjek përgjegjësinë prej veti. Po tash janë edhe dy anëtarë. Ata ndoshta shkojnë vetëm me emër dhe mbiemër” ka thënë Llugaliu, duke përmendur se nëse ndokujt i duhet ndonjë informatë më shumë do të ketë qasje.
Shuma që do të ndahet për një bursë nuk dihet ende.
“Këtë vit buxhetin e kemi më të ultë. Qeveria ka ndarë 40 mijë euro subvencion. Vitin e kaluar i kemi pasur 50 mijë. Shumën e bursës nuk e dim ende. Vitin e kaluar ka qenë 350€ për studentë, 180€ për nxënësit”, ka shtuar Llugaliu.
Komisioni për ndarjen e bursës komunale në Podujevë përbëhet nga tre anëtarë. Vendimin për përbërjen e komisionit, sipas Llugaliut, e ka marrë kryetari i komunës, Agim Veliu, më 9 shkurt 2016.
Të gjithë ata që kanë aplikuar për bursë këtë vit nuk kanë paguar taksë komunale prej 3€, siç ka ndodhur vitin e kaluar. Por, për këtë, Xhevat Llugaliu, ka thënë se as vitin e kaluar nuk ka pas taksë komunale.
“Jo, sivjet s’ka. As vjet s’ka pas. Nuk e di. Ato janë procedura të zyrës ku bëhen kërkesat”, ka thënë Llugaliu./Llapi.info