Komuna e Podujevës ka hyrë në pazar për të blerë 22 laptopë për këshilltarët në asamblenë komunale, njofton Llapi.info
Kjo Komunë ka bërë hapjen e tenderit ditë më parë, për të cilët ka planifikuar t’i shpenzojë 9 mijë euro.
Sipas thirrjes për tender, këta laptopë janë për nevoja të Kuvendit Komunal të Podujevës.
Mirëpo, Komuna e Podujevës ka zgjedhur tenderin me çmim më të ulët, që do të thotë se kësaj Komune furnizimi me laptopë do t’i kushtojë 5 mijë e 940 euro. Sipas njoftimit të dhënies së kontratës, fitues ka dalë kompania N.P.T “Vlora”.
Për dallim nga hera e parë ku edhe është anuluar kontrata për laptopë, kësaj here Komuna nuk i ka bërë publike llojet e laptopëve.
Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të vitit 2018 për Komunën e Podujevës kishte gjetur se asamblistët e Komunës së Podujevës nuk i kishin kthyer laptopët.
Në raportin e Auditorit për vitin 2017, thuhet se 24 asamblistë të Podujevës nuk i kanë kthyer laptopët të cilët i kishin marrë në legjislaturën e kaluar. Raporti i auditorit thoshte se vlera e mbetur e këtyre laptopëve pas zhvlerësimit të rregullt ishte 4,444€./Llapi.info