Kosova vazhdon të përballet me sëmundjen e etheve hemorragjike, apo pickimit të rriqrave siç njihet ndryshe. Në muajt e fundit të këtij viti, dhjetëra kosovarë janë pickuar nga rriqrat. Por siç duket për këtë sezon, epiqendra do të ndërrojë destinacion nga Malisheva, në të cilën ka qenë fillimisht, për në Prishtinë. Në bazë të të dhënave të fundit për katër muajt e parë të këtij viti më shumë të pickuar nga rriqrat ka pasur në Prishtinë se sa në Malishevë. Zyrtarë të Klinikës Infektive,kanë dhënë për Express detaje rreth etheve hemorragjike si dhe situatës në terren

Vajza e Mirjeta Pllanës, 13 vjeçe, para dy javësh u pickua nga rriqrat derisa ishte duke luajtur në një park në Prishtinë. Dy rriqra, njëri në këmbë e tjetri në vesh e kishin pickuar atë. Rriqrat nga trupi i së miturës u larguan nga mjekët e qendrës kryesore familjare në Prishtinë.

“E kam pas vajzën duke luajtur. Po më thotë mami veshi po më dhemb, kur po e shoh, rriqër. Menjëherë e dërgova në Qendrën e Mjekësisë. Dy rriqra i kishte pas në trup”, thonë nëna e së miturës.

E rast të njëjtë si të 13 vjeçare kanë edhe dhjetëra persona të tjerë në Prishtinë. Vetëm në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për katër muajt e parë të këtij viti rreth 36 qytetarë kanë kërkuar ndihmë nga pickimi i rriqrave.

Kështu i ka thënë të dielën Express’it, drejtori i klinikës, Hamdi Ramadani. Ai thotë se rritje të numrit nga pickimet pritet që të ketë në muajt e ardhshëm.

“Ne tash veç jemi në sezonin epidemike të insekteve siç janë rriqrat. Mendojmë se në muajt e fundit do të kemi rritje hala më të madhe-enorme të rasteve. Ne e kemi grupin e ekspertëve të cilët vazhdimisht po bëjnë zgjerimet rreth pickimit të rriqrave. Për fat të mirë deri më sot ne nuk kemi shënuar raste me sëmundje të shumta të rriqrave. Deri më tani, klinika jonë ka regjistruar 47 raste nga grup mosha dhe rajone të ndryshme”, thotë Ramadani.

Ai tregon se në nga Malisheva gjatë këtyre katër muajve, shërim nga pickimi i rriqrave ka kërkuar vetëm një person.

“Më së shumti ka paraprirë, regjioni i Prishtinës me 36 raste. Pastaj Obliqi e pastaj Lipjani. Malishevë e kemi vetëm një rast, është fat i mirë, për shkak se ju e dini se vatër epidemike e etheve hemorragjike është Malisheva. Të gjitha këto raste janë trajtuar në mënyrë ambulatore”, tregon drejtori i Klinikës Infektive të QKUK’së. Ramadani u bënë thirrje organeve që merren me shëndetësinë në kryeqytet që të fillojnë me spërkatjen e zonave problematike tek të cilat po paraqiten rriqrat.

Tutje, infektologu Hamdi Ramadani thotë se Klinika Infektive, ka kapacitete dhe ilaçe të nevojshme për t’i trajtuar të gjitha rastet e pickimit.

“Ne i kemi të gjitha terapitë përkatëse në kuadër të luftimit të kësaj sëmundjeve epidemike. Tri vitet e fundit Kosova nuk ka shënuar asnjë rast të pickimit”, shpjegon Ramadani.

Për gjithë këtë punë nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë se kanë marrë masa parandaluese edhe këtë vit. Edhe këtë vit, si vitet paraprake, kemi marrë masa parandaluese për ethet hemorragjike krime kongo, së bashku me këshillin ndërministror. Prej vitit 2013, kur kanë ndodhur 11 vdekje në Kosovë, më nuk kemi pasur situatë të tillë. Kjo, falë bashkëpunimit me institucionet relevante”, deklarojnë nga MSH.

Megjithëkëtë, në vitin 2013, në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona nga ethet hemorragjike dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Derisa në vitet në vijim, falë masave parandaluese, janë evituar viktimat.

Kujtojmë së koha kur sëmundja e etheve hemorragjike krime kongo shfaqet në Kosovë është nga prilli deri në shtator. Kjo sëmundje shkaktohet nga pickimi i rriqrave, ndërsa vatër e saj janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.