Janë rritur shpenzimet për telefonata, derivate dhe dreka zyrtare në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Llapi.info.
Kjo parti ishte zotuar sa ishte në opozitë se do t’i ndalte shpenzimet “enorme” për këto kode, por që në tre mujorin janar-mars, këto shpenzime janë dyfishuar.
Për këtë, ekzekutivi është përballur me akuza të shumta nga partitë opozitare, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kur po diskutohej raporti financiar për këtë periudhë kohore. Këtë raport para asamblesë komunale e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani.
Sipas Osmanit, buxheti i miratuar Komunës së Podujevës për vitin 2021 në total, për të gjitha kategoritë buxhetore, është 23, 853, 654 euro. Prej tyre në tre mujorin e parë të vitit 2021 (janar-mars), në të gjitha kategoritë buxhetore janë shpenzuar 3,859,651 euro.
Në anën tjetër, këshilltarët opozitarë të LDK-së dhe PDK-së kanë akuzuar komunarët për shpenzime enorme të buxhetit për tre muaj në telefon, derivate, dreka zyrtare etj.
“Puna po vazhdon njëjtë. Janë rritur shpenzimet për derivate, telefonata për 1000 mijë euro në kohë të pandemisë. Me shëtit te liqeni i Batllavës janë rritur edhe shpenzimet për derivate”, është shprehur këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica.
Kritika më të shumta ka pasur edhe këshilltari i LDK-së, Hasan Ajeti. Ai ka thënë se për tre muaj, sipas tij, janë shpenzuar 1 mijë euro telefonate, kurse 19 mijë sosh për derivate.
“Ajo çka e karakterizon këtë raport është shpenzimi në disa kode. Janë rritur shpenzimet për derivate, dreka zyrtare dhe telefonata. Pikërisht për këto vazhdimisht pati kritikuar VV, të cilat i kishte quajtur luks. Në telefon janë shpenzuar 1 mijë e 216 euro për tre muaj. Për ushqim dhe pije janë shpenzuar mbi 4 mijë euro. Derivate për tre muaj 19 mijë euro”, është shprehur Ajeti, duke krahasuar me ato të ish-pushtetit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mohuar këto akuza për rritje të shpenzimeve.
“Për shpenzimet telefonike, nuk ka mundësi me pas rritje. Ne kemi zvogëlim të të shpenzimeve për derivate, telefon dhe kode tjera”, ka thënë Bulliqi, përkundër që në raport faktohet se ka pasur rritje.
Kurse, këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doruntinë Hasani, ka thënë se sa i përket rritjes së shpenzimeve për telefon ka ardhur ai rezultat i projektit “Alo Komuna”.
“Te telefonatat e kemi ditur se kanë me u ngrit shpenzimet, për arsye se është lansuar projekti “Alo Komuna”. Aty, qytetarët thërrasin pa pagesë, kurse ngarkesa e pagesës i shtohet Komunës. Te derivatet, ka qenë aktiv Inspektorati në tre muajt e parë. Te drekat zyrtare, qytetarët që kanë punuar në “Alo Komuna”, janë vullnetarë dhe u është paguar nga një shujtë “, ka thënë Hasani.
Në një kundër-replikë, Rafet Llapashtica i PDK-së ka ritheksuar se ka pasur rritje të shpenzimeve për tre mujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me këtë të vitit 2020.
“Janë ngritur dyfish shpenzimet. Për mua më shumë janë 1 mijë e 216 se sa 879 euro. Është ngritje. Edhe te derivatet, për mua janë më të mëdha 19 mijë euro, se sa 13 mijë krahasuar me vitin paraprak. Ti kryetar s’ke ulur asgjë, ke rritur shpenzimet, kurse s’ke kryer as edhe një punë të vetme”, ka thënë Llapashtica.
Por, shpenzimet e rritura i kanë arsyetuar këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje./Llapi.info