29 persona gjetën vdekjen në komunikacion në katërmujorin e parë të këtij viti. Aksidentet fatale janë në rritje nëse i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, në këtë periudhë kohore nëpër aksidente të ndryshme në Kosovë kanë pësuar lëndime trupore gjithsej 3570 persona.
Në periudhën kohore janar-prill 2017, kanë vdekur 27 persona në aksidente të ndryshme në komunikacion, ndërsa në periudhën e njëjtë të këtij viti kanë vdekur 29 persona apo dy më shumë, thuhet në statistikat e Policisë dhënë Gazetës Express.
Statistikat tregojnë se gjatë këtij viti dënime kanë pësuar 3570 apo 49 persona më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Ndërsa, janë 2774 aksidente që kanë përfunduar vetëm me dëme materiale. Sa i përket numrit të përgjithshëm të aksidenteve duke përfshirë ato me fatalitet, me persona të lënduar dhe vetëm me dëme materiale janë gjithsej 4569 aksidente.
Për kundërvajtjet e ndryshme në trafik policia ka shqiptuar 118743 tiketa trafiku, raporton Express.
Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes më të shtuar gjatë pjesëmarrjes apo qarkullimit në trafikun rrugor.
“Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon te apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre.
Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetësim për të gjithë dhe po shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore”, thuhet në apelin e PK-së.