Qeveria e Kosovës pak ditë më parë hoqi masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdar.

Ky ndryshim erdhi me zotimin se do bëhet kontroll i shtuar deri sa të pajisen me skanerët e teknologjisë së lartë.

Megjithatë, përgjatë këtyre ditëve është vërejtur një fluks i madh i maunave që presin radhën për të hyrë nga Serbia për në Kosovë.

Mungesa e skanerëve ka bërë që të krijohen kolona të gjatë të kamionëve për t’iu nënshtruar procedurave për kontroll të detajuar.

Kujtojmë se Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e shkuar.

Masa e sigurisë më pas u ndryshua, duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final.