Protokolli i shtetit i Malit të Zi ka vendosur të forcojë sigurimin fizik për zv.kryeministrin e këtij vendi, Dritan Abazoviq, pasi ka sinjale se grupi kriminal i Kavaçit, një prej dy grupeve më të mëdha në këtë vend, ka planifikuar vrasjen e tij, shkruan gazeta “Vijesti” të hënën.
Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) e Malit të Zi pretendon se, duke e hetuar vrasjen e Zoran Ashaninit, e ndodhur dje në Mojkovac, ka ardhur deri te këto informacione.
“Informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal Kavaç për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar si reagim ndaj burgosjes së liderit të grupit Slobodan Kashqelan, duke rrezikuar jetën e zv.kryeministrit të Malit të Zi, Z. Dritan Abazoviq”, njoftoi Ministria e Brendshme, përcjell “Vijesti”.
Gjatë fundjavës, lideri i grupit të Kavaçit, me bazë në Kotor u arrestua.