Që prejse është vendosur zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës së “Xhamisë” në Podujevë, punimet në këtë pjese janë përcjellë me probleme të shumta, shkruan Llapi.info
Rrënimi i objektit të ish-Komitetit në të cilën gjendej edhe Biblioteka e Qytetit, largimi i rrethojave të çerdhes së vetme publike në këtë Komunë, e së fundi edhe me shpronësim, ka pasur goxha punë Komuna e Podujevës.
Kjo rrugë është paraparë si zëvendësim i rrugës së qendrës “Zahir Pajaziti”, e cila mbyllet për t’u ndërtuar Bulevardi i Dëshmorëve, mirëpo kritika janë dhënë nga këshilltarët opozitarë për cilësinë dhe për gjerësinë e asaj rruge. Sipas tyre, ajo nuk i përmbush kapacitetet e rrugës “Zahir Pajaziti”.
“Realisht ajo rrugë është ndërtuar në pronë private, kapaciteti i asaj rruge është i ngushtë. Nëse ka qarkullim sa rruga “Zahir Pajaziti” e cila mbyllet për shkak të saj, do të ketë kaos se përnime ka hapësirë të vogël”, pati në një seancë këshilltari i VV-së, Vendenis Lahu.
Por, përkundër akuzave dhe ngecjeve, kjo rrugë u asfaltua në fund të vitit 2018. E kjo u mundësua nga LDK e cila shpalli në interes publik pronën private edhe pse pati kundërshtime nga ana e banorëve.
Megjithatë, asfaltimi nuk u krye në tërësi buzë lumit Llap. Krejt kjo, pasi që Komunës së Podujevës dhe Agim Veliut i doli punë me shpronësime, derisa banorët patën ndalë punimet, pasi që siç thonë (banorët e lagjes së Blakçorëve), Komuna i ka ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit.
Banorët e kësaj lagjeje thonë se i pari i Podujevës, Agim Veliu, u kishte premtuar atyre se nëse lejojnë ndërtimin e kësaj rruge do të jepen leje për ndërtim të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe të gjitha taksat komunale do të binin në barrë të administratës komunale. Por, kur kishte ardhur koha për asfaltim, sipas tyre, kreu i Komunës kishte ndërruar fjalët, me ç’ rast edhe u patën ndërprerë punimet.
Në lidhje me këtë drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha, pati thënë se shpronësimin e bënë Ministria e Financave, edhe pse sipas banorëve, premtimet i kishte bërë Veliu.
“Ne kemi diskutuar me qytetarët edhe nuk mund t’i jepet dikujt as më shumë e as më pak se sa i jep ligji. Dhe këta nuk do jenë të hendikepuar që i merr diçka Komuna e që është pronë e tyre. Është çështje në interes publiku, shpronësimin e bën Ministria e Financave dhe ajo e Planifikimit Hapësinor. Në hartën zonale do të përcaktohet në secilën parcelë të tokës në Podujevë, nuk i merret pasuria qysh dëshiron Komuna, por janë ligjet dhe nuk dëmtohen”, pati theksuar Jaha.
Sidoqoftë, ende nuk është bërë një zgjidhje për këtë situatë, derisa më së shumti e pësojnë qytetarët. Një pjesë e rrugës e cila tashmë lidhet me atë të qendrës është në gjendje tejet të keqe me gropa të shumta.
Kujtojmë, në lidhje me këtë çështje, nëpër seanca të rregullta të Kuvendit Komunal ka pasur debate të ashpra, ndërsa më 30 nëntor të vitit 2018 kjo rrugë u shpall në interes publik, edhe përkundër ankesave të banorëve./Llapi.info