Një pjesë zhavori e vendosur vitin e kaluar në rrugën “Gallapi” në Podujevë nuk mjafton për të mbuluar gropat e shumta të cilat paraqesin pengesë për veturat dhe qytetarët e kësaj pjese. E asfalt për këtë rrugë nuk do të ketë as këtë vit.
Avni Ademi, banor i rrugës “Gallapi” ka thënë për llapi.info se kanë bërë kërkesë në komunë për asfaltimin e kësaj rruge, por komunarët janë përgjigjur duke thënë se nuk ka buxhet.
“Po jena kanë në komunë dhe ata na kanë thanë se nuk kena buxhet, e mue me vjen mirë që punohet edhe nëpër fshatra, po na llogaritemi me qytet e jena si me kanë naj fshatë malor”, ka thënë Ademi.
Se asfaltimi i kësaj rruge ka kosto të lartë për komunën, ka thënë edhe Durim Salihu, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës.
“Për rrugën në fjalë kemi menduar ta asfaltojmë posa te asfaltohet rruga Podujevë – Livadicë (kah Brecalite), sepse është rrugë bukur e gjatë dhe ka kosto të lartë, ndërsa numri i shtëpive nuk është edhe aq i madh për momentin”, ka thënë Salihu në përgjigjen e dërguar përmes Zyrës së Informimit në Podujevë.
Llapi.info ka pyetur Zyrtarët për Informim se kur do të asfaltohet rruga Podujevë-Livadicë por ata nuk kanë dhënë përgjigje.
Në fotot e dërguara nga banori i kësaj rruge në redaksin e portalit “Llapi.info” shihet gjendja në të cilën gjendet rruga “Gallapi”./Llapi.info