Gjithçka duket normale në shikim të parë në fshatin Bellopojë që gjendet në jug të Podujevës, rreth 12 kilometra larg qytetit.
Kur merr rrugën për në këtë fshat, nëse nisesh nga Podujeva, duhet hapur krahun në të majtë kur arrin në fshatin Shakovicë, shkruan sot “Koha Ditore”. Pasi kalon rreth një gjysmë kilometri, duhet marrë kthesën në të djathë në rrugën që mban emrin “Kështjella 26”.
Kjo të çon në drejtim të fshatit Bellopojë. Rruga kryesore mban emrin e dëshmorit Shaban Avdiu. Në afërsi të xhamisë së fshatit degëzohet me rrugën që të çon në drejtim të shtëpisë së një këshilltari komunal të Podujevës. Kjo rrugë, që ka formën e një bajpasi quhet “Kadri H. Avdiu”.
Deri këtu gjithçka duket e zakonshme. E pazakonshme është se ajo mban emrin e njëjtë me këshilltarin komunal, Kadri (Hajdar) Avdiu.
Gjithçka përputhet me të dhënat e këtij këshilltari, që në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte garuar me Partinë Demokratike të Kosovës, për t’u ndarë më vonë si Grup i veçantë bashkë me dy këshilltarë të tjerë të kësaj partie, e i cili tashmë është rikthyer në PDK.