Dëshmia se rrugët e Kosovës po bëhen çdo ditë e më të rrezikshme, e tregojnë më së miri statistikat për numrin e aksidenteve nëpër rrugët e vendit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm në muajin maj të vitit 2018 në vendin tonë kanë ndodhur 9 aksidente fatale ku vdiqën 11 persona.
“Gjatë muajit maj 2018 në territorin e Republikës së Kosovës kanë ndodhur 1,176 aksidente, 9 prej tyre kanë qenë fatale me 11 persona të vdekur. Gjithashtu kanë ndodhur 660 aksidente me dëme, 506 aksidente me lëndime me 974 persona të lënduar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës dërguar Telegrafit.
Kurse, në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ndodhen 1,368 aksidente, prej të cilave 12 ishin aksidente fatale me 12 persona të vdekur.
Nga fillimi i këtij viti deri në muajin maj kanë ndodhur 35 aksidente fatale me 42 persona të vdekur, ndërsa po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë ndodhur 36 aksidente fatale me 39 persona të vdekur.
“Në periudhën janar-maj 2018 kanë ndodhur 5,745 aksidente, ku 3,434 aksidente ishin me dëme, 4,544 me persona të lënduar dhe 2276 aksidente me lëndime. Po në të njëjtën periudhë ndodhën aksidente fatale me 42 persona të vdekur”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Telegrafin.
Gjatë muajit maj 2018, Policia e Kosovës ka shqiptuar 36,617 tiketa, krahasuar me majin e 2017-së kishte rritje prej 9 për qind të dënimeve.
Ndërsa, për pesë muajt e parë të vitit aktual u shqiptuan 155,360 tiketa.
Në vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 17,695 aksidente me 122 aksidente fatale dhe 137 persona të vdekur. Brenda këtij viti, Policia e Kosovës ka shqiptuar 396,924 tiketa për kundërvajtje në komunikacion.