Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht e ka hapur fushatën në zgjedhjet për kryetar të Podujevës, të cilat mbahen me 15 mars, njofton Llapi.info.

Kandidati për kryetar të Komunës nga kjo parti, Nexhmi Rudari, tha se Lidhja Demokratike nuk thirret në kauza të rreme e nuk bën premtime të mëdha, por bën punë të mëdha.

“Të tjerët e shohin Podujevën si plaçkë. Qeverisja e mirë na ka bërë të pamposhtur dhe triumfues qe 20 vjet. LDK nuk thirret në kauzë të rreme e premtime të parealizuara. LDK-ja bën punë të mëdha. Deri më 2021 do të rrumbullakohen projektet e mëdha si ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza, do të përfundojë bulevardi i qytetit, jemi në përfundimin e asfaltimit të rrugëve, jemi në përfundim të objektit të qendrës emergjente dhe së shpejti do të fillojë aneksi i spitalit. Së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i palestrës sportive. Do të ndërtojmë terrene sportive. Oponentët politikë nuk i mundim me fjalë, por me punë”, ka thënë Rudari.

“LDK realizon projekte të prekshme për Llapin dhe për qytetarin e saj. E, projektet e nisura me programin fitues të kryetarit Veliu në vitin 2017, më mbetet mua si kryetar i Komunës t’i realizoj deri në fund të këtij mandati qeverisës”, është shprehur ai.

Ish-kreu i kësaj komune, tani ministër në Qeveri, Agim Veliu është shprehur sërish i bindur se partia e tij do t’i fitojë zgjedhjet e 15 marsit.

“Do të vazhdojmë me realizimin e programit me kryetar Nexhmi Rudarin. Nexhi me drejtorët e tij do ta vazhdojë programin 4 vjeçar që e kemi nisur më 2017. Edhe tash do të dalim fitues për të 16 herë me radhë”, ka thënë Veliu.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Podujeva do ta ketë përkrahjen për t’i shtyrë projektet përpara.

Ashtu sikurse Veliu, edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, duke falënderuar ish-kryetarin, ka thënë se Podujeva do të vazhdojë të jetë e qeverisur nga LDK-ja.

“Nexhmi, jam shumë i bindur që më 15 mars do të jetë një fitore e madhe. Për kundërkandidatët nuk dua të flas, më mirë është të bëjnë punët e veta nëse dinë t’i bëjnë. Ata nuk njihen për punë të mira, ma shumë veç telashe na kanë bërë. Bashkë me Nexhmiun, për të qeverisur drejt dhe mirë”, është shprehur Mustafa./Llapi.info