Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, Nexhmi Rudari, ka thënë në “Express” intervistën në KTV, se Llapi do të mbetet bastion i LDK-së.
Sipas tij, gara në Podujevë, më 15 mars, do të bëhet për vendin e dytë ndërmjet VV-së dhe PDK-së, pasi fituesi dihet.
Ai beson se zgjedhjet në Podujevë do të reflektojnë edhe në qytetet tjera, sidomos në kryeqendër, Prishtinë.
“Llapi do të mbetet bastion i LDK-së. Jemi duke punuar shumë, jemi duke u munduar ta kthejmë edhe kryeqendrën, të qeveriset nga LDK-ja. LDK-ja, jo vetëm në Llap, por në gjithë Kosovën do të kthehet fuqishëm”, ka thënë Rudari.
Ai ka shtuar se do të fitojë postin e të parit në Podujevë pa pasur nevojë për balotazh.
“Siç janë duke shkuar punët, ne nuk llogarisim në balotazh, të gjitha sondazhet tregojnë se LDK-ja do të fitojë pa balotazh. Garë do të ketë vetëm për vend të dytë, mes VV-së dhe PDk-së”, ka shtuar ai.
Rudari, që aktualisht është nënkryetar i Podujevës, ka thënë se do të vazhdojë me programin qeverisës, i cili është votuar nga llapjanët. Ai thotë se ky është vetëm vazhdim mandati i lënë në gjysmë nga Agim Veliu, i emëruar ministër në Qeverinë Kurti.
Sipas tij, Veliu dhe LDK-ja kanë bërë shumë punë të mira.
“Besojmë se qytetarët do të vlerësojnë punët e mira që ka bëre LDK-ja me Agim Veliun në krye”, ka thënë ai.
Ai tregoi se një sërë premtime janë realizuar, një pjesë janë në realizim e sipër dhe një pjesë mbeten të realizohen deri në fund të mandatit 4-vjeçar, që Rudari beson se do ta vazhdojë.
Ka përmendur, siç tha ai, kilometra rrugë të shtruara, kanalizime, trotuare e ndriçim publik. Po ashtu ka folur edhe për projektin 5.3 milionësh, kolektorin e ujërave të zeza. Tha se do të përfundojë në tetor dhe se po ndërtohet falë një kredie të botë nga Austria, me kthim për 20 vjet.
Rudari ka lavdëruar punën që ka bërë për katër mandate e gjysmë Veliu në Podujevë. Ai tha se ka fatin që do të ketë edhe ndihmën e tij si ministër, por edhe të ministrave tjerë në Qeveri e që janë nga Llapi. Sipas tij, ndihmesë do të jenë edhe deputetët e shumë nga kjo trevë.
E ndihmesa më e madhe, pret të jetë meqë LDK-ja është në pushtetin vendor. Sipas tij, me qeverisjen e kaluar janë ndërprerë disa projekte të nisura në kohën e Qeverisë Mustafa.
“Prej kur është shpallur pavarësia, Qeveria vetëm një herë është udhëhequr nga LDK-ja. Për herë të parë Llapi përfaqësohet kaq fuqishëm, përfaqësohet me tre ministra e shumë deputetë. Do të jetë ndihmesë e madhe për mua”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës.
Dy kundërkanditatët i ka vlerësuar dhe ka thënë se edhe ata dikur ishin aktivistë të LDK-së.
Po ashtu ka mohuar se në komunën e Podujevës ka nepotizëm. Sipas tij, ai do të punojë për qytetarët.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për qytetarët, jo për militantët, pasi edhe brenda një shtëpie ka votues të subjekteve të ndryshme”, shtoi ai.