Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka pritur sot në një takim zëvendësministrin e Ministrisë së Diasporës, Sahit Krasniqi, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për koordinimin e aktiviteteve dhe përgatitjet që po bëhen për pritjen e bashkatdhetarëve.
Rudari ka njoftuar Krasniqin për planifikimet e komunës së Podujevës, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme gjatë sezonës së pushimeve verore.
“Në këto aktivitete, kryesisht përfshihen organizimet e programeve kulturore dhe artistike të cilat qëllim kryesorë e kanë pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve tanë, me theks të veçantë fëmijëve dhe të rinjve që jetojnë atje”, ka thënë Rudari.
Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës, Sahit Krasniqi, e njoftoi Rudarin për punën dhe angazhimet e kësaj ministrie me qëllim të organizimit të aktiviteteve të ndryshme për mërgatën shqiptare.
Po ashtu zv-ministri Krasniqi kërkoi edhe ndihmën e Komunës së Podujevës për organizimin e regjistrimit të bashkatdhetarëve duke krijuar lehtësira për ta./Llapi.info