Moska ka drejtuar kritika të ashpra nda Bashkimit Evropian dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Bashkimit Evropian pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, transmeton lajmi.net.
Në një konferencë për media, Zakharova, ka thënë se Bashkimi Evropian, i cili është ndërmjetësues i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, po tregohet i butë në situatën e krijuar në Ballkan pas vendosjes së kësaj takse.
Zakharova në këtë konferencë e cilësoi si provokim vendosjen e taksës dhe insistimin e kryeministrit Haradinaj për mos shfuqizimin e saj, transmeton më tutje lajmi.net.
“Në realitet, përveç atyre deklaratave të buta, asgjë tjetër nuk ndërmerret dhe udhëheqja e Kosovës injoron qëndrimin e BE-s”, ka thënë Zakharova.
Tutje ajo në këtë konferencë ka thënë se duke e parë këtë situatë e cila është krijuar pas vendosjes së taksës, është kjo edhe një arsye e fortë pse Rusia po kërkon që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes në Këshillin e Sigurimit (KS), të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Kujtojmë se sonte me fillim prej orës 21:00 do të fillojë seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të diskutohet për Kosovën.