Nuk është hera e parë që familjes së Agim Sahitit nga fshati Bardhosh i komunës së Prishtinës, pas reshjeve të shiut i hyn ujërat e zeza brenda dhe ia dëmtojnë biznesin familjar.

Sahiti thotë të ketë bërë ankesë disa herë në organet komunale e në Ujësjellësin Rajonal Prishtina, por askush deri tash nuk i ka dëgjuar ankesat e tyre, raporton KTV.

Ai teksa heq ujin nga dyqani i tij, i cili kundërmon erë kanalizimi, thotë se është i gatshëm që edhe vetë të bëjë një zgjidhje për këtë situatë.

Situatë të njëjtë me këtë familje ka edhe ajo e Halil Ajetit. Ai tregon se si familja e tij ishte mobilizuar e tëra, që me anë të leckave e tepihëve të vjetra të parandalojë futjen e ujërave të zeza brenda shtëpisë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, përmes një përgjigjeje me shkrim, tha se komuna mund të intervenojë vetëm në rastet kur bëhet ndërrimi i rrjetit.

Se do të dalin për të intervenuar në sanimin e gjendjes kanë premtuar edhe zyrtarë të Ujësjellësit.

Ndërhyrja e ekipeve të Ujësjellësit, Bardhoshit i kryen punë përkohësisht. Reshjet e mëdha gjatë këtij viti ata i kanë dëmtuar rëndë, si në shtëpi ashtu edhe në bujqësi.