Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, gjatë një emisioni televiziv paralajmëroi se së shpejti do të mbahet Konventa e kësaj partie ku do të zgjedhjet kryetari dhe kryesia e re.
Por kush do të jenë kandidatët për kryetar të kësaj partie.
Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, i pyetur nga Front Online ka thënë se nuk do të jetë kandidat për këtë pozitë, pasi që do të kandidoj për kryetar të Skenderajt.
“Jo, nuk do të kandidoj, mendoj se mosha ime është që e kam mendjen me iu kthyer Skenderajt me punu në Skenderaj dhe në Drenicë, dhe unë fal zotit kam miq e shok dhe PDK-në do ta ndihmoj vazhdimisht. Unë nuk kam ambicie për kryetar të PDK-së”, tha ai për Front Online.
Nënkryetari i PDK-së, tutje tha se besimin e anëtarëve të PDK-së për kryetar të partisë do ta merr ai që është i përgjegjshëm.
“Është momenti që na ta ndihmojnë Partinë Demokratike, por mos të jemi dera e parë, na jemi prapavija e PDK-së, vota është e shenjtë dhe nuk mund të tregoj se kënd e preferoj për kryetar të PDK-së, unë ja jepi votën atij që ma mbushë mendjen sa do ta ndihmon PDK-në, besimin e PDK-së do ta merr ai që anëtarët e shohin që është I përgjegjshëm”, tha ai.
I pyetur se deri më tani a ka pretendentë të tjerë për të parin e PDK-së, Lushtaku tha se nuk është i informuar.
Ai tha se njëri nga kandidatët është edhe Enver Hoxhaj.
“Njëri nga kandidatët është Enver Hoxhaj, për kandidatura tjera nuk e di derisa unë nuk jam kandidat, uroj të ketë kandidatura jo formale, por për të qenë një garë më interesante dhe besoj se kjo do të ndodh në PDK”, tha ai.