Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila është edhe e mbijetuar e masakrës së marsit të vitit 1999 në Podujevë, është emocionuar gjatë fjalimit të saj në Kuvend, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Bojujevci u përlot derisa foli për 12 qershorin e vitit 1999, raporton Express.

“Para 25 viteve, isha një vajzë e brishtë, gjysëm e gjallë, me zemër të thyer që nuk kisha pjesën më të madhe të familjes…më falni”, tha Bogujevci, e përlotur.

Ajo u duartrokit nga të gjithë në Kuvend, ku tha se ndihet e privilegjuar dhe shumë krenare që i shërben vendit.

“Por, sot para jush dhe bashkë me ju ndihem e privilegjume e shumë krenare që i shërbej popullit dhe vendit tonë. Çdo 12 qershor festoj bashkë me ju fitoren e humanitetit përballë mizorisë”, e vazhdoi pastaj fjalimin.

“Një natë më parë e ndjeva një qetësi shpirtërore. E mendoja edhe nëse do të ndodhte diçka e keqe, nuk do të trembesha. Atë kohë, i pata mbushur 14 vjeç. Sot është një ndjenjë krenarie që çdo ditëlindje kur e feston, në këtë ditë të madhe të çlirimit. E kemi paguar shumë shtrenjtë lirinë tonë. Para 25 vitesh, isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer se nuk kisha pjesën më të madhe të familjes. Sot para jush dhe bashkë me ju, ndjehem krenare që mund t’i shërbej popullit dhe vendit tonë.”, tha Bogujevci,