Sindikatat e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka reaguar ministres Nagavci lidhur me disa deklarata të kësaj të fundit.
SBASHK-u ka ftuar ministren që të përmbahet nga deklarimet që lexohen si kërcënime, duke precizuar saktë faktin që ata as nuk shantazhojnë, por as nuk shantazhohen, pavarësisht rrethanave.
“Ministre, SBASHK-u alarmon, kritikon, angazhohet për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, por nuk shantazhon e as nuk kërcënon, por as nuk u është dorëzuar e nuk u dorëzohet kurrë shantazheve e as përpjekjeve të dikujt që ka tentuar ta lëndoj unitetin e shkëlqyer të sindikatës sonë. Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i anëtarësisë sonë dhe presim bashkëpunim korrekt me MASHTI-n”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Më poshtë edhe komunikata e plotë:
Ministre ruaju nga deklarimet që lexohen si kërcënime
Është e natyrshme që MASHTI të përgjigjet e të reagojë ndaj deklarimeve të SBASHK-ut për çështjet e ngritura e të bëra publike, por përgjigja duhet të jetë e mbështetur në argumente të qëndrueshme e në fakte e jo në fjali të veshura me mllef e akuza që nuk qëndrojnë.
E nderuar Ministre as një fakt nuk e ke ofruar në kuadër të akuzës se edhe SBASHK qenka përgjegjës për “rezultatet e ulëta” në arsim. SBASHK nuk ka qenë kreator i reformave, as i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim. SBASHK-u as nuk solli vendim që të lirohen nga puna punëtoret shtatzëna e as që ato të zëvendësohen me studentë, kur në Kosovë ka mjaft kuadro të diplomuara që janë duke pritur me vite për të punuar bile ca ditë a javë në arsim.
E nderuara Ministre anëtarësia e SBASHK-ut edhe në vitet e okupimit bëri sakrifica sublime duke mbrojtur arsimin shqip edhe tani në kohë pandemie po bën angazhime të vazhdueshme për të mbajtur sa më gjatë e sa më mirë procesin mësimor edhe për kundër numrit të madh të të prekurve me Covid. Ne madje u angazhuam dhe arritëm të gjejmë mundësi bashkë me institucionet që të lirohen nga procesi mësimor punëtorët arsimor me sëmundje të rënda, por të tjerët as edhe këtë marrëveshje nuk e realizuan ashtu si duhet. Ne vazhdojmë të japim kontribut konkretet në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë duke inkurajuar e mobilizuar anëtarësinë e duke mbajtur pa u ndalur trajnime pa pasur mbështetjen e askujt dhe duhet parë të tjerët a po kanë angazhime konkrete në këtë përpjekje.E nderuar Ministre është e natyrshme që të dallojmë në qasje e deklarime për të njëjtat çështje, por po ju këshillojmë miqësisht të ruheni nga deklarimet që lexohen si kërcënim. Një i tillë, e që keni nisur të përsëritni sa herë po reagoni ndaj deklarimeve e angazhimeve tona është edhe :
“Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune”.
Ne vërtetë jemi krenar e të lumtur që jemi mësimdhënës dhe jemi në punë dhe angazhohemi aq sa mundemi e dimë të arsimojmë e edukojmë brezat, por këto vende pune nuk na i fali dikush për mëshirë e sadaka. Ju duke e përsëritur shpesh këtë deklaratë tuajën sikur po dërgoni mesazh si disa pronarë të firmave private që u thonë të punësuarve, kurdo që ata ankohen arsyeshëm, se duhet të heshtin e të ndihen mirë që janë në punë, se njerëz të papunë ka mjaft.
Ministre, SBASHK-u alarmon, kritikon, angazhohet për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, por nuk shantazhon e as nuk kërcënon, por as nuk u është dorëzuar e nuk u dorëzohet kurrë shantazheve e as përpjekjeve të dikujt që ka tentuar ta lëndoj unitetin e shkëlqyer të sindikatës sonë. Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i anëtarësisë sonë dhe presim bashkëpunim korrekt me MASHTI-n.
Prishtinë, 30 prill 2021,
Zyra për informim e SBASHK-ut