Rrahman Jashari kryetar i SBASHK-ut po shprehet i bindur se nuk ka gjasë të ketë test me shkrim për mësimdhënësit.
Jashari ka thënë për lajmi.net se vlerësimi i punës duhet të bëhet nëpërmjet inspektorëve në klasë.
Sipas tij kjo do të ishte mënyra më e mirë e testimit për mësimdhënësit.
“Qëndrimi i SBASHK-ut mbetet i njëjtë. Test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve nuk ka pasur e as nuk do të ketë kurrë. Vlerësimi i punës në klasë po, por përmes inspektorëve profesional.Pra duke e parë punen e mësimdhënësit në klasë e me nxënës”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut.
Parlajmërimet për vlerësimin e mësimdhënësve i bëri së fundi ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Ai tha se vlerësimet do të bëhen në tri nivele dhe do të kenë karakter këshillues.
Madje paralajmëroi edhe ngritje eventuale të pagës në bazë të performancave.
“Unë konsiderojë që duhet të jetë një lajm i mirë për mësimdhënësit sepse, e para, secili mësimdhënës do të mund të ketë ngritje në karrierë, performanca nuk e ka vetëm një nivel, i ka 3 nivele, i cili siguron ngritje në karrierë dhe me ngritjen në karrierë ne jemi duke shikuar mundësinë që të ketë edhe ngritje në pagë”, tha Bytyqi.
Testimet për mësimdhënës janë paralajmëruar edhe më herët.
Punën e mësuesve disa herë e ka kritikuar edhe kryeministri Haradinaj. Ky i fundit madje kishte thënë se mësimdhënësit nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për punën e tyre.