Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Randolph Scott, duke komentuar mospajtimet që kanë shpërthyer rreth samitit të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Sofje, tha se ai “është i rëndësishëm për procesin e euro-integrimeve, prandaj në të duhet të marrin pjesë të gjithë. Shpresoj se të gjithë do të jenë aty”, e citojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Sipas disa raportimeve, Spanja, Rumania dhe Qiproja kanë paralajmëruar se nuk do të jenë të pranishëm në pjesën zyrtare të samitit, nëse në të do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e Kosovës.

“Ky samit është i rëndësishëm për procesin e euro-integrimeve, prandaj duhet të marrin pjesë të gjithë. Shpresoj se do të jenë të gjithë aty”, ka thënë Scott.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen juridikisht detyruese midis Beogradit e Prishtinës.
“Mund ta marr me mend se ajo marrëveshje do të nënshkruhet deri në fund të këtij vitit, nëse të gjitha palët janë të përkushtuara për dialog”, është shprehur ai.

Ambasadori amerikan ka komentuar edhe serinë e deklaratave të zyrtarëve të lartë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po ndihet i tradhtuar nga partnerët perëndimorë.
“Nuk ka nevojë të ndihet ashtu, ne jemi partnerë edhe me Kosovën, edhe me Serbinë”, është shprehur Scott