Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 17 maj, ku ndër të tjera, pikë e rendit të ditës është edhe formimi i komisionit hetimor për dëbimin e gjatë shtetasve turq nga Kosova. Po ashtu, është vendosur që vazhdimi i seancave të mbetura në gjysmë të mbahen më 23 dhe 24 maj.
Pas mbledhjes së kryesisë, në emër të deputetëve të pavarur foli, Dardan Sejdiu, i cili tha se më 17 maj do të trajtohen tri tema të rëndësishme për ata.
“U dakorduam që seanca e radhës të jetë me 17 maj. Janë tri tema të rëndësishme; diskutimet rreth heqjes së roamingut Kosovë-Shqipëri, dhe pikave doganore që Kosova dhe Shqipëria mund t’i trajtojnë për t’i hequr si dhe procedimi për lexim të dytë i projektligjit për Prishtinën”.
Në emër të LDK-së, Armend Zemaj tha se LDK sot ka futur në procedurë të rregullt tri projektligje për datën 17 maj, që ka të bëjë projektligjin për tatimin në të ardhurat personale, plotësim ndryshimin për të ardhurat e korporatave, projektligjin për vlerën e shtuar, si dhe formimin e komisionit hetimor për dëbimin e gjatë shtetasve turq.
Sa i përket komisionit hetimor për dëbimin e gjatë shtetasve turq, Zemaj tha se po e zvarritin ata që e kanë shkaktuar këtë komision.
Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimin për mungesën e qeverisë në seancat e kuvendit, grumbullimin e pikave të rendit të ditës, mungesën e deputetëve të pozitës në seanca, duke thënë se kjo tregon brishtësi institucionale dhe me këtë logjik është e pamundur që të funksionojë në mënyrë normale Kuvendi i Kosovës.
Kryesia e Kuvendit gjithashtu ka marrë vendim që kryeministri Ramush Haradinaj të paraqitet në tri interpelanca me 23 maj. Interpelanca sipas kërkesës së LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës, ajo e inicuar nga deputetët e pavarur në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, kërkesë kjo e Vetëvendosjes.