Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë se i konsideron kërkesat për largim të pjesëtarëve serbë nga FSK-ja si sulme të qëllimshme që i janë bërë këtij institucioni, dhe në veçanti komunitetit serb, por shtoi se ata do të zëvendësohen me pjesëtarë të tjerë të këtij komuniteti, njofton Klan Kosova.

“MFSK vlerëson se këto kërkesa për largim vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimshme që i janë bërë FSK-ë, posaçërisht pjesëtarëve të komunitetit serb”, ka thënë Berisha në konferencë për media.

“Janë tentime për ta dëmtuar progresin dhe të arriturat e FSK-së, si dhe imazhin e saj si institucioni më i besueshëm në vend”.

“Vërtet ndjej keqardhje për pjesëtarët tanë që s’janë lejuar të vendosin lirshëm për të ardhmen e tyre”.

Berisha shtoi se serbët e FSK-së kanë qenë të integruar shumë mirë në strukturat e saj, andaj i konsideroi të papranueshme kërcënimet që kanë ardhur në adresë të tyre.

“Pjesëtarët e FSK-së nga komuniteti serb kanë qenë shumë mirë të integruar në kuadër të strukturës së FSK-së dhe kanë qenë në nivel të përgjegjësive dhe detyrave të tyre”.

“Prandaj kërcënimet dhe shantazhet e bëra janë të papranueshme, dhe janë shkelje të të drejtave të njeriut”.

“Profesionalizmi i FSK-së është vlerë e njohur dhe e pranueshme nga miqtë tanë ndërkombëtare dhe nga të gjitha shtetet e NATO-s”.

“Dhe kjo vlerë po iu pengon atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë”.

Megjithatë, Berisha pohoi se ata do ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre, dhe se do ta lënë derën e hapuar për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“FSK do të vazhdojë në përmbushje të misionit të zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve operacionale, si dhe përfundimin e tranzicionit në Forca të Armatosura të Kosovës”.

“Rruga e FSK-së nuk do të ndalet. FSK-ja ka qenë, është dhe do të jetë e hapur për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Për më tepër, ai tha se rastet kanë qenë grupore, ndërkaq për serbët e larguar tha se do të zëvendësohen me pjesëtarë të tjerë të po këtij komuniteit.

“Nuk bëhet fjalë për raste individuale, bëhet fjalë për raste grupore që e tejkalon numrin 40-të”.

“FSK është një forcë profesionale që ka hyrje-dalje, dhe sigurisht do të ketë edhe plotësimin e vendeve të reja të punës me pjesëtarë të komunitetit serb”.

“Ne i kemi bërë hapat e duhur dhe ideja e synimi ynë është që Forcën e Sigurisë ta ndërtojmë si një forcë profesionale multi-etnike që përfaqësohet nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në interes të tyre”.

“Pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve që po iu bëhen anëtarëve tanë, ne do të vazhdojmë që ta ndërtojmë në këtë frymë FSK-në”.