Deklarata e koordinatorit për dialogun Kosovë – Serbi, në qeverinë e Kosovës, Avni Arifit, se duke u folur vetëm për AKS-në, Kosova po humb kohë, ka ngjallë reagime të shumta në Serbi.

Sipas Novostit, Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, edhe një herë heshtë ndaj mesazheve të rrezikshme nga ana shqiptare, këtë herë ndaj shefit të ekipit negociator të Kosovës, Avni Arifi.

Për pikëpamjen e Arifit, se “nuk jam i interesuar të vazhdojmë me bisedime teknike”, Brukseli nuk ka reaguar, por Beogradi është lënë vetën për të spekuluar nëse Asociacioni do të merr formë siç është rënë dakord në prani të zyrtarëve evropian, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq ka thënë dje se askush nuk është i interesuar në atë se a po i përmbushin shqiptarët detyrimet, sidomos ata që e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Askush nuk reagoi ndaj kësaj deklarate, të gjithë të heshtur. Jetojmë në standarde të dyfishta”, ka thënë presidenti serb.

Deklarata e koordinatorit kosovar u komentua edhe nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Kur një pjesëmarrës në procesin e negociatave tregon se kjo është një humbje kohe e në të njëjtën kohë nuk zbaton marrëveshjen, atëherë ka diçka të gabuar në negociatorin apo në procesin e negociatave. Ne presim që BE të sqaroj këtë dilemë”, ka thënë ai.

Edhe ish-shefja e ekipit negociues të Prishtinës, Edita Tahiri, ka thënë se krijimi i Asociacionit është “i rrezikshëm për Kosovën”.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Maja Kocijancic, për “Novosti” ka thënë se BE-ja pret që të gjitha marrëveshjet të zbatohen menjëherë.

Në anën tjetër Ekipi Menaxhues për krijimin e Asociacionit, në të cilin janë katër përfaqësues të serbëve të Kosovës, janë duke punuar për projektin e statutit të AKS-së dhe pritet që punën ta përfundojnë në fund të korrikut, pasi kështu është kërkuar në afatin e fundit të përcaktuar në Bruksel.

Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka reaguar ndaj deklaratës së Arifit.

“Do të ishte ide e mirë për BE-në që të marr rolin e saj për ta shtyrë Prishtinën ta respektojë fjalën e saj. Këto deklarata të bëra nga kryenegociatori përfshijnë pyetjen nëse Prishtina ka pranuar marrëvjeshjen e Brukselit”, ka thënë ai.