Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se nuk ka bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës në zgjidhjen rastit të vrasjes të politikanit serb, kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP), Oliver Ivanoviq dhe i bëri thirrje EULEX-it që të jetë i përfshirë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e këtij rasti.
Siç raportojnë mediat serbe, Stefanoviq ka thënë se bëhet fjalë për hetimin e prokurorisë, kurse Serbia është përpjekur për të ushtruar presion mbi Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe OKB-në dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare të ushtrojnë presion që ky rast të zgjidhet më shpejt, përcjell Telegrafi.
“Serbia është e interesuar në zgjidhjen e këtij rasti, por nuk e shoh dëshirën e palës tjetër”, tha Stefanoviq, duke shtuar se në këtë rast nuk ka shkëmbim informacionesh.
Siç theksoi ai, mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar është parë që nga fillimi, kur janë dhënë deklarata politike dhe shihet edhe tani, kur topi i hidhet Beogradit, se nuk duan të shkëmbejnë informacione.
“Do të doja të përfitoj nga rasti që edhe një herë t’i bëj thirrje EULEX-it që të jetë i vetëdijshëm për rolin që ka dhe të angazhohet në mënyrë aktive në zgjidhjen e rastit”, tha Stefanoviq.