Kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriq, i cili të mërkurën ka dorëzuar kontratat për 24 banesa, për të cilat qeveria e Serbisë ka investuar 57 milionë dinarë (518 mijë euro), ka thënë se janë siguruar edhe 226 milionë dinarë ose mbi 2 milionë euro edhe për 6 njësi banesore.
Qeveria e Serbisë ka vazhduar të investojë në veri të Mitrovicës në ndërtimin e objekteve të larta të banimit për të siguruar strehim për familjet serbe me probleme të strehimit, për çifte të sapokurorëzuara, për familje të zhvendosura në Serbi dhe për kuadër deficitar.
Deri më tani në këtë vit qeveria e Serbisë nëpërmes Zyrës për Kosovën ka investuar 57 milionë dinarë (518 mijë euro) për 24 banesa, ndërsa deri në fund të vitit do të ndërtohen edhe 80 banesa. 24 banesa të reja janë ndërtuar në “Lagjen e Boshnjakëve” me qëllim që të popullohen me serbë për t’ia ndryshuar strukturën etnike kësaj lagjeje, në të cilën kryesisht jetojnë shqiptarë dhe boshnjakë.