Kolona të gjata deri në dy kilometra janë krijuar në pikën kufitare në Merdare, raporton Llapi.info.
Bashkatdhetarë të shumtë të cilët tashmë kanë marrë rrugën për në perëndim, po presim deri në shtatë orë për të dalë nga Kosova.
Sipas njoftimit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar kolonat më të gjata janë shkaktuar në Merdare deri në 2200 metra, ndërsa pritjet deri në gjashtë orë e 20 minuta në dalje ndërsa në hyrje deri në 40 minuta. Llapi.info ka siguruar pamje të kolonave.
Për dallim nga kjo pikë, në pika tjera kufitare pritjet janë më të reduktuara.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, dje ka vizituar Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas njoftimit për media, ministri Mustafa ua ka hedhur fajin palës serbe për krijimin e kolonave në këtë pikë.
“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”, tha Mustafa./Llapi.info