Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i është kundërpërgjigjur deklaratave të krerëve shtetëror të Kosovës lidhur me marrëveshjet për energji të arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas Vuçiq, i gjithë ky insistim i Prishtinës tregon vetëm qëllimin kryesor të tyre për të marrë kontrollin mbi veriun e Kosovës, dhe se një marrëveshje për energji e arritur në Bruksel nuk ekziston, transmeton lajmi.net.
“Ne nuk kemi ndonjë marrëveshje për energji, dhe për të 100-tën herë po e përmend një gjë të tillë. Nuk ka një të tillë, dhe i vetmi obligim i dalë nga dialogu i Brukselit është se ne duhet të vazhdojmë bisedimet mes Kosovën për energjinë dhe Telekomin, e në ndërkohë ne kemi arritur një marrëveshje për Telekomin”, u shpreh Vuçiq.
Vuçiq ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se autoritetet kosovare po dëshirojnë të marrin kontroll mbi veriun e vendit, duke përmendur arrestimin e Gjuriqit dhe ndaljen e trenit i cili barte mesazhe nacionaliste gjatë vitit të kaluar.
“Sipas një marrëveshje dypalëshe të nënshkruar me NATO-n, ata nuk kanë të drejtë që të dërgojnë trupat në veriun e Kosovës. Ata e kanë shkelur dy herë këtë marrëveshje, herën e parë me një tregim të trilluar për një tren që ata madje as nuk e kanë parë, dhe herën e dytë me arrestimin e Gjuriqit”, shtoi Vuçiq.
Ndryshe, para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se Kosova po humb rreth 30 milionë euro nga marrëveshjet e paimplementuara nga pala serbe për energji, marrëveshje këto që po mohohen se janë arritur nga pala serbe.