Reshjet e shiut me intensitet të lartë, të cilat kanë filluar që nga dje, kanë bërë që në disa zona të Podujevës të ketë vërshime, raporton Llapi.info.

Gjendje më e rënduar është paraqitur si pasojë e reshjeve në lagjen Tovërlani. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, i cili ka thënë se rreziku për vërshime edhe në zona tjera, është permanent.

“Në  lagjen Tovërlani ka vërshime si dhe në zona të tjera njëherë nuk janë përshirë nga vërshimet, por rreziku është permanent shkaku i reshjeve me intensitet të larë të shiut dhe borës. Nuk ka pasur nevojë për të intervenuar për të evakuuar ndonjë familje ekipet tona janë të gatshme dhe shtabi emergjent po e përcjellë nga afër gjendjen”, është shprehur Zhitia.

 Më tej, Zhitia ka thënë se lumenjtë janë mbushur me ujë, për çka, siç ka thënë ai, ka rrezik për të dalë nga shtretërit.

“Tash ekipet e kontraktuara nga Drejtoria e Shërbimeve Publike kanë dalë në terren për të parë nga afër gjendjen e shkaktuar nga reshjet e shiut. Lumenjtë janë mbushur dhe ka rrezik të shtuar për dalje nga shtretërit e tyre, po i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që të parandalojmë dëmet që mund të shkaktohen”, ka thënë Zhitia.

Më të prekurat nga vërshimet janë fshatrat; Siboc, Llugë, Sfeçël dhe Bellopojë./Llapi.info