Xherdan Shaqiri ka insistuar se Stoke City ende beson se mund ta shmangë rënien nga liga elitare angleze edhe pse vazhdimisht ndodhet në zonën e rënies nga Premierliga.
Stoke do të jetë nikoqir i Burnley dhe Crystal Palace, derisa do të luajë në udhëtim kundër Liverpoolit dhe rivalit për mbijetesë, Swaneas, në ndeshjet e mbetura në ligë, me anësorin shqiptar të Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqirin, i cili beson se nëntë pikë do të mjaftojnë për ta ruajtur statusin e ekipit elitar, transmeton Gazeta Express.
“I kemi edhe katër ndeshje dhe besimi nuk na mungon”, ka thënë Shaqiri për Sky Spors pas barazimit 1-1 kundër West Hamit të hënën.
“Duhet t’i fitojmë tri ndeshje. Dy ndeshje i kemi në shtëpi e dy në udhëtim. Nëse i fitojmë dy në shtëpi dhe një në udhëtim, mbase do të mbijetojmë në Premierligë. Besojmë deri në fund”, shtoi Shaqa.
Shaqiri e ka nënvizuar rezultatin ndaj West Hamit si një përmbledhje të përshtatshme të sezonit të tërë të Stoke.
“Kjo është hera e parë për mua [në luftë për mbijetesë], por kemi lojtarë të mëdhenj të cilët duhet të luajnë mirë në këto ndeshje. Duhet të luajmë më mirë”, theksoi ai.
Me katër ndeshje të mbetura, Stoke është e parafundit në tabelë me 28 pikë, aq sa ka edhe Southampton në vendin e 18 dhe Swansea në vendin e 17-të.