Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara kanë dënuar sulmin vdekjeprurës gjatë një parade ushtarake në Iran, ku sipas medias shtetërore u vranë të paktën 25 persona dhe u plagosën 60 të tjerë.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë të gjitha aktet e terrorizmit dhe humbjes së jetëve të pafajshme”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

“Ne qëndrojmë përkrahë popullit iranian kundër goditjes së terrorizmit radikal islamik dhe shprehim simpatinë tonë ndaj tyre në këtë kohë të tmerrshme”, shtoi ajo.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres përmes një deklarate për media tha se dënon “sulmin në qytetin Ahvaz”. Në këtë deklaratë ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave “dhe për qeverinë dhe popullin e Iranit”.

Agjencia e lajmeve Irna ka raportuar duke cituar “burime” të besueshme, se sulmues të veshur me uniforma ushtarake kanë hapur zjarr në ngjarjen që po mbahej në qytetin Ahvaz, ku ishin mbledhur zyrtarët iranianë për të përcjellë paradën ushtarake që shënonte nisjen e luftës së vitit 1980-88 në mes të Iranit dhe Irakut.

Ministria e Jashtme iraniane ka fajësuar “terroristët e paguar nga regjimi i huaj” për sulmin.

Grupi militant Shteti Islamik dhe grupi arab anti-qeveritar Rezistenca Kombëtare e Ahvazit kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por asnjë grup nuk ka dhënë dëshmi për një pretendim të tillë.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani ka fajësuar shtetet arabe që mbështeten nga SHBA-ja për “financimin monetar, ushtarak, mbështetjen politike për grupet arabe anti-qeveritare”, por nuk ka dhënë më shumë detaje për këto pretendime.