Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar një “non-paper” që paraqiste vija të reja kufitare në Ballkan si zgjidhje përfundimtare për rajonin teksa kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë zotimet e nënshkruara më 4 shtator në Washington.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, është thënë se “e ardhmja duhet të fokusohet tek qeverisja e mirë”.
“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme stabile, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sa i përket çështjes së Kosovës, Departamenti i Shtetit ka theksuar se e përkrah dialogun me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh “të përqendruar në njohje reciproke”.
“Ne përkrahim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe inkurajojmë palët të riangazhohen në këtë proces me urgjencë për të adresuar çështjet teknike e politike. Do të punojmë me Serbinë e Kosovën që të zbatohen Zotimet e Washingtonit me qëllim të normalizimit të plotë”, ka thënë DASH-i.